Site icon Telegrafi

Shfaqja “Audienca” e Teatrit të Prizrenit kthehet me katër çmime nga “Etno Festi”

Teatri i qytetit “Bekim Fehmiu” në Prizren, të hënën, ka njoftuar se shfaqja “Audienca” ka marrë katër çmime në edicionin e 14-të të festivalit “Etno Fest” që mbahet në Kukaj të Prishtinës.

“Jemi të lumtur të ju njoftojmë se në edicionin e 14-të të festivalit “Etno Fest” në Kukaj shfaqja “Audienca” produksion i Teatrit “Bekim Fehmiu” u shpërblye me katër çmime:  Aktori më i mirë: Ernest Malazogu; Skenografia më e mirë: Burim Arifi; Regjia më e mirë: Bashkim Ramadani dhe çmimi kryesor Shfaqja më e mirë: “Audienca””, thuhet në njoftimin e këtij teatri, raporton Telegrafi.

Shfaqja e shkruar nga njëri prej emrave të shquar botëror të dramës, çekut Vaclav Havel, në vitin 1975, portretizon ndikimin e regjimeve autoritare.

Loja e bazuar kryesisht në bashkëbisedën e dy personazheve është përplot humor, absurditet dhe satirë mbi shtypjen politike në regjimin komunist, që vihet në thumb të kritikës.

“Audienca” portretizon se si shteti autoritar ka ngritur një sistem të çuditshëm burokratik, apo një kullë Babiloni me letra e rregullore, ligje e amendamente, vendime, nene, aneks-vendime e aneks-nene, tipike si një rrjetë e hekurt merimange, që përdoret për të bërë shantazh, për të ngrehë kurthe, akuzuar e zhveshë prej pozite e dinjiteti njerëzor gjithsecilin që shteti të dojë, veçanërisht ata të padëgjueshmit dhe ata që refuzojnë t’i bashkëngjiten këtij sistemi. /Telegrafi/

 

Exit mobile version