Site icon Telegrafi

Shërbimi Urgjent i Prizrenit pajiset me dy autoambulanca të reja

Drejtoria e Shëndetësisë ka furnizuar Shërbimin Urgjent të Prizrenit me dy autoambulanca të reja, me qëllim të shtimit të efikasitetit në ofrimin e shërbimeve mjekësore në rastet urgjente.

Zyrtarët komunalë gjatë dorëzimit të çelësave, kanë shprehur bindjen se këto autoambulanca dhe kujdesi mjekësor me kohë, përmirëson sigurinë shëndetësore për të gjithë banorët e kësaj komune, raporton Telegrafi.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka theksuar se këto dy autoambulanca ofrojnë mundësi më të mira teknike që të arrihet efikasitet më i theksuar për trajtimin e pacientëve në raste urgjente.

“Ky investim shkon në funksion të ngritjes së kapaciteteve për trajtim të rasteve urgjente, që shpresojmë mos të jenë të shumta, por që megjithatë ne duhet të jemi të përgatitur”, ka thënë Totaj.

Drejtori i Shëndetësisë, Simir Krasniqi ka pohuar se synimi i këtij investimi është shërbimi më i mirë ndaj pacientëve në çdo kohë.

“Si Drejtori e Shëndetësisë po mundohemi që të krijojmë kushte sa më të mira të punës, dhe me këto autoambulanca si dhe me investimet tjera synojmë që shërbimet mjekësore të jenë sa më afër pacientit në çdo kohë”, ka deklaruar Krasniqi.

U.d. i drejtorit të QKMF-së “Nexhip Berisha”, Fadil Bajraktari, ka shprehur qëndrimin se dy autoambulancat e reja janë të pajisura në mënyrë adekuate për ofrimin e shërbimeve urgjente mjekësore, raporton Telegrafi.

Ndërsa përgjegjësi i Shërbimit Urgjent, Arbnor Ukaj, ka theksuar se dy autoambulancat e reja përmirësojnë mundësitë për ofrimin e shërbimeve urgjente mjekësore pasi ato kanë pajisje përcjellëse të nevojshme.

Sipas të dhënave zyrtare, ky investim i DSh-së, kap vlerën prej afër 150 mijë eurosh. Shërbimi Urgjent tash e tutje ka në dispozicion gjithsejtë  11 autoambulanca. /Telegrafi/

Exit mobile version