Site icon Telegrafi

Shërbime shëndetësore shtesë për qytetarët e Gjilanit – Ekipe mjekësore në shtëpitë e pacientëve

Ashtu siç njofton Komuna e Gjilanit, janë shtuar shërbimet shëndetsore nëpër shtëpi me ekipe, infermierë e doktor.

Në një komunikatë për media, bëhet e ditur se për këto shërbime tash janë tre ekipe – secili me dy infermiere dhe një doktor, derisa theksohet se në të kaluarën ky shërbim kryhej nga vetëm një ekip i përbërë nga dy infermiere dhe asnjë doktor.

“Jam shumë i lumtur të ndaj me ju se kemi zgjeruar shërbimet paliative – vizitat në shtëpi për shtresën e ndjeshme të qytetarëve të cilët nuk kanë mundësi të marrin shërbimet në qendrat mjekësore”, tha kryetari Hyseni.

Hyseni theksoi se këto shërbime janë në dispozicion shtatë ditë në javë, nga ora 07:00 deri në 20:00. Shërbim shëndetësor ndaj çdo qytetari, në çdo kohë dhe në çdo vend.

“Ndërsa tani ne kemi tre ekipe të përkushtuara – secili me dy infermiere dhe një doktor, ndërsa pas kësaj ore për shërbimin e patronazhit kujdeset ekipi i urgjencës”, tha Alban Hyseni.

Ndryshe, bashkë me ekipet mjekësore, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, kanë bërë vizita shtëpiake tek pacientët të cilët nuk kanë mundësi të marrin shërbimet në qendrat mjekësore. /Telegrafi/

Exit mobile version