Telegrafi

Shënoi gol pas 400 ditëve vuajtje nga lëndimi, Zaniolo shpërtheu në lot: Kalova momentin më të errët në jetën time

Roma e Jose Mourinhos po shkëlqen, së paku në tri ndeshjet e para zyrtare.

Giallorosët kanë marrë dy fitore në Ligën e Konferencës dhe një tjetër në Serie A për një fillim të mbarë.

E në ndeshjen e dytë të Ligës së Konferencës ndaj Trabzonspor e fituar 3-0 nga Roma, golin e gjeti edhe Nicolo Zaniolo.

Talenti i madh italian ka vuajtur shumë, pasi ka pësuar dy lëndime të njëpasnjëshme, në ligamentet e dy këmbëve.

Ndaj Trabzonsporit, Zaniolo gjeti golin pas 400 ditëve dhe më pas shpërtheu në lot duke u emocionuar.

“Pas golit të shënuar mendova për të gjitha në karrierën time, vitin në të cilin shokët e skuadrës luanin dhe unë jo, tifozët që më kanë mbështetur gjithmonë dhe të gjitha”.

“Ky është një fillim i ri për mua, kam kaluar momentin më të errët të jetës time, por tani jam i kënaqur me momentin që po kaloj”, deklaroi Zaniolo pas ndeshjes. /Telegrafi/