Një grua e re është bërë protestuesja e parë që vdiq në demonstratat kundër grusht-shtetit në Mianmar, pasi u qëllua në kokë ditë më parë.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, Mya Thwe Thwe Khaing, 20-vjeçare, u plagos në fillim të javës së kaluar kur policia u përpoq të shpërndajë protestuesit duke përdorur top uji, plumba gome dhe fishekë.
Khaing kishte qenë në rrezik për jetë që kur u dërgua në spital më 9 shkurt, pasi u godit nga ajo që mjekët thanë se ishte plumb i drejtpërdrejtë në një protestë në kryeqytetin, Naypyitaw.
“Ndihem vërtet i trishtuar dhe nuk kam asgjë për të thënë”, deklaroi vëllai i saj, Ye Htut Aung.
Një zyrtar i spitalit konfirmoi vdekjen e saj në orën 11 të mëngjesit dhe tha se trupi i saj do të dërgohet për ekzaminim të premten.
“Ne do të mbajmë të regjistruar (shkakun e vdekjes) dhe do t’i dërgojmë kopje autoriteteve përkatëse. Ne do të kërkojmë drejtësi dhe do të ecim përpara”, tha zyrtari. /Telegrafi/