Tetë minatorë u shpëtuan dhe 21 të tjerë kanë mbetur të bllokuar në një minierë qymyri që u shemb në rajonin veriperëndimor të Kinës, Xinjiang.
Sipas CNN, përcjell Telegrafi, një pjesë e minierës u shemb duke çuar në ndërprerje të energjisë menjëherë pas orës 6 pasdite (ora lokale) të shtunën, kur 29 minatorë po punonin në minierën që gjendet në qarkun Hutubi të Xinjiang.
Në një raportim tjetër, një medium tha se 12 nga minatorët që mbeten të bllokuar janë lokalizuar deri të dielën dhe pritet të shpëtohen, ndërsa nëntë punëtorë të tjerë nuk dihet se ku gjenden.
Minierat kineze janë ndër minierat më të rrezikshme në botë, raporton CNN.
Rreth 10 minatorë u konfirmuan të vdekur në janar, pas shpërthimi në një minierë në provincën bregdetare të Kinës, Shandong.
Lidhur me rastin aktual, mediet shtetërore thanë të dielën se përpjekjet e shpëtimit në minierën e Xinjiang ishin duke vazhduar. /Telegrafi/