Site icon Telegrafi

Shefi i Ligës Premier flet për 115 akuzat e Man Cityt, ku klubi nga Etihad mund të bie nga kategoria nëse shpallet fajtor

Shefi ekzekutiv i Ligës Premier, Richard Masters ka folur për seancën dëgjimore për 115 akuzat e Manchester Cityt, pasi u konfirmua data e mundshme e fillimit të tij.

Sipas ESPN, seanca është planifikuar të fillojë më 16 shtator dhe parashikohet të zgjasë rreth dy muaj.

Sidoqoftë, një vendim përfundimtar – duke përfshirë çdo apel të mundshëm – nuk pritet të arrihet deri pas përfundimit të sezonit 2024/25.

Liga Premier e akuzoi për herë të parë Cityn në shkurt të 2023 për 115 akuza për shkelje të rregulloreve, pasi fillimisht hapi një hetim për aktivitetet e klubit pesë vjet më parë.

 

Akuzat lidhen me një periudhë 14-sezonale nga 2009/10 e tutje dhe përfshijnë shkelje të ndryshme të supozuara të rregullave.

City është akuzuar me 54 akuza për mosdhënie të informacionit të saktë, 14 akuza për mosdhënie të detajeve të sakta për pagesat e lojtarëve dhe trajnerëve, shtatë akuza për shkelje të rregullave të fitimit dhe qëndrueshmërisë së Ligës Premier (PSR), pesë akuza për moszbatimin e Rregulloreve të UEFA-s duke përfshirë Fari Play Financiar dhe 35 akuza për mosbashkëpunim me hetimet e Ligës Premier nga viti 2018 e tutje.

Klubi nga Etihad i mohon me forcë akuzat, me çështjen që tani do të zgjidhet nga seanca e ardhshme e cila do të mbikëqyret nga një panel i pavarur.

 

Shefi ekzekutiv i Ligës Premier, Masters ka thënë se çështja duhet të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur për të mirën e ligës.

“Kjo ka vazhduar për disa vite dhe tani është koha që çështja të zgjidhet vetë. Kjo ka rëndësi. Kjo krijon pasiguri dhe zhgënjim. Por nuk ka alternativë për zbatimin e rregullave, për të cilat të gjithë ranë dakord”, ka thënë fillimisht Masters.

 

“Ata e kanë parë njëri-tjetrin në sy, i kanë shtrënguar dorën njëri-tjetrit dhe i kanë thënë: “Ne do t’u përmbahemi këtyre rregullave. Kështu që Liga Premier duhet t’i zbatojë ato”.

“Çfarëdo vështirësie apo zhgënjimi që krijon është pjesë e mbrojtjes së konkurrencës së Ligës Premier, vlerave të saj thelbësore”, përfundoi shefi i ligës. /Telegrafi/

 

Exit mobile version