Sipas këtij studimi, amerikanët më të lumtur janë ata që janë njëherazi edhe më të moshuarit. Edhe pse stresi në moshë të avancuar është i pashmangshëm, dhe vjen edhe si pasojë e dhimbje të ndryshme të trupit, frikës dhe përjetimeve të sëmundjeve, apo vdekjeve të njerëzve të familjes, apo edhe të miqve e shokëve të afërm, megjithatë, personat e moshuar zakonisht kanë filluar të kënaqen e të ndihen mirë me atë që kanë. Kjo është edhe diferenca e tyre me personat në moshë të mesme, të cilët shpesh janë të pakënaqur me sa kanë arritur në jetë.
Arsye për këtë është fakti se të moshuarit janë mësuar t‘i ndryshojnë dhe t‘i zvogëlojnë objektivat e tyre, dikur të mëdha dhe të pranojnë veten për atë çka janë, të pranojnë arritjet dhe mosarritjet e tyre për ato që janë.
Në studim janë përfshirë 28 mijë persona, tek të cilët është vërejtur shumë ulje e ngritje gjatë studimit të periudhave të lumturisë në jetën e tyre, luhatje të cilat korrespondonin me periudhat e mira dhe më pak të mira ekonomike. Por, e veçanta është se në të gjitha rastet amerikanët e grupmoshave më të shtyra ishin më të lumturit.
Ndërkohë që të rinjtë me ngjyrë dhe të varfrit ishin ndër më të palumturit në mesin e të intervistuarve. Këto diferenca zbeheshin me plakjen e njerëzve. Në përgjithësi, shanset për të qenë të lumtur rriteshin me 5% me kalimin e çdo dhjetëvjeçari jete.
Sipas studiuesve, për shumë persona të moshuar, lumturia është dalja dhe shoqërizimi me njerëz dhe kjo është një këshillë shumë e mirë për ata që duan të jenë të lumtur.