Millan Radoiçiq, nënkryetar i Partisë Lista Serbe, që gjendet në listën e personave të kërkuar nga autoritetet e sigurisë në Kosovë si dhe figuron në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara, është parë duke qëndruar në Parlamentin e Serbisë derisa presidenti serb Aleksandar Vuçiq po fliste për planin franko-gjerman.
Radoiçiq në këtë seancë shihet i ulur dhe plotësisht i qetë derisa ishte i shoqëruar nga Goran Rakiqi, kryetari i Listës Serbe dhe Igor Simiq e disa zyrtarë tjerë nga kjo parti, transmeton Telegrafi.
Kujtojmë që Radoiçiq dyshohet për përfshirjen në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, kurse në Beograd vazhdimisht e kanë mbrojtur – duke pretenduar se e ka kaluar me sukses edhe testet e “poligrafit”.
Në shkurt të vitit të kaluar është bërë e ditur se Radoiçiq kërkohet edhe për rastin “Brezovica”, që organet e drejtësisë në Kosovë po e hetojnë për korrupsion e ndërtim ilegal.
Në anën tjetër, KRIK raporton se Radoiçiq akuzohet për rrëmbimin e biznesmenit maqedonas, i cili arriti ta identifikojë. Megjithatë në fund të procesit gjyqësor ai u lirua. /Telegrafi/