Site icon Telegrafi

SHBA: sulm mbi bankat

Në Nju Jork dhe Uashington ngjarjet pasojnë njëra-tjetrën. Kriza financiare vazhdon të bëjë viktima. Në fundjavë ministria e financave hartoi një plan emergjence. A është kapërcyer kështu faza më e vështirë?

Për herë të dytë brenda këtij viti sistemi financiar amerikan ndodhet në buzë të humnerës. Më 16 mars, një ditë të diel, banka e madhe JP Morgan Chase me ndihmën e Bankës Qëndrore amerikane Federal Reserve bleu bankën e falimentuar të investimeve Bear Stearns dhe shmangu kështu një rënie të tregut të aksioneve. Tani bursa e Wall Street-it ndodhet sërisht në rrezik.

Shprehja "sulm mbi bankat" po qarkullon me shpejtësi. Fjala është për tërheqjen nën panik nga klientët të depozitave të tyre në banka. Krahasimet me recesionin e madh përpara 80 vjetësh në SHBA duken të egzagjeruara. Megjithatë frika në Wall Street ndjehet qartë. Dhe vetë ministri i financave dhe guvernatori i FED-it të japin përshtypjen e njerëzve në panik.

Vetëm pak ditë pasi ministri i financave Henry Paulson tha zyrtarisht se mbulimi me kapital i institucioneve kredidhënëse gjysmë shtetërore Fannie Mae dhe Freddie Mac ishte i siguruar, së bashku me guvernatorin e FED-it ai hartoi një plan emergjence. Sipas këtij plani Fannie Mae dhe Freddie Mac kanë akses në një linje speciale kredie. Veç kësaj këto ditë Kongresi pritet të japë dritën e gjelbër për blerjen nga qeveria në rast nevoja pa kufizim të aksioneve të Fannie Mae dhe Freddie Mac.

Sipas Sean Egan, partner në agjensinë e pavarur të listingut Eagan Jones, ky është një hap në drejtimin e duhur:

"Deri në një farë mase është qetësuese që ministri i financave ndërhyn. Por fakti që atij i duhet të ndërhyjë tregon se sa të mëdha janë bërë problemet në ekonominë amerikane gjatë dy viteve të kaluara".

Martin Mayer specialist i bankës qëndrore pranë institutit kërkimor Brookings në Uashington dhe autor i shumë librave mbi bankën qëndrore amerikane e vlerëson aksionin e ministrit të financave të gabuar:

"Unë nuk e kuptoj se çfarë do të sjellë ky aksion. Ky është një reagim refleks dhe dëshmon panik. Fannie Mae dhe Freddie Mac kanë ndërkohë një linjë kredie secila nga 2,5 miliardë dollarë pranë autoritetit financiar. Do të ishte plotësisht e mjaftueshme të rritej pak tavani i kredisë".

Fannie Mae dhe Freddie Mac kanë në pronësi apo garantojnë rreth gjysmën e hipotekave në SHBA. Fjala është për 5 bilionë një shumë sa dyfishi i produktit të brendshëm bruto të Gjermanisë. Por si ndodhi e gjitha kjo? 

Fannie Mae dhe Freddie Mac kanë blerë hipoteka nga bankat, më pas kanë emetuar letra me vlerë nga këto hipoteka të cilat ua kanë shitur investuesve ndër të cilët edhe bankave gjermane të landeve. Me kolapsin e tregut të imobilieve në SHBA letrat me vlerë pësuan humbje masive vlere.

Me IndyMac të premten e kaluar falimentoi banka e dytë më e madhe e hipotekave në SHBA. Ky është falimentimi i tretë për nga përmasat në historinë e vendit dhe egziston frika që kjo ngjarje do të ketë pasoja. Fjala është për rreth 300 institute kredie të cilat lëkunden.

Çdo zë në bursën e Nju Jorkut për vështirësi në aftësinë paguese të bankave ndiqet nga rënie të forta në kurset e aksioneve./Deutsche Welle/

Exit mobile version