Site icon Telegrafi

SHBA-ja njofton se princi saudit ka imunitet nga ndjekja penale për vrasjen e gazetarit Khashoggi

Administrata amerikane ka përcaktuar se princi i kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, ka imunitet ligjor nga padia e ngritur kundër tij për vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi në vitin 2018.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë, në një dokument të dorëzuar në Gjykatën e Qarkut të Kolumbisë, shkruante se doktrina e imunitetit të krerëve të shtetit bazohet në të drejtën zakonore ndërkombëtare, në mënyrë që i akuzuari Bin Salman, si kreu i një shteti të huaj, të gëzojë imunitet nga juridiksioni i gjykatave amerikane.

Khashoggi u vra dhe u copëtua nga agjentët sauditë në konsullatën saudite në Stamboll në një operacion për të cilin inteligjenca amerikane besonte se ishte urdhëruar nga Princi Mohammed, i cili ka qenë sundimtari “de fakto” i mbretërisë për disa vite, shkruan cnn.

Princi mohoi të kishte urdhëruar vrasjen e Khashoggit, por më vonë tha se ai mori përgjegjësinë sepse “ndodhi nën mbikëqyrjen e tij”. Gjatë vizitës së tij në Arabinë Saudite në muajin korrik, presidenti amerikan Joe Biden i tha princit se ai e konsideronte atë përgjegjës për vrasjen e Khashoggi.

Khashoggi kritikoi politikat e princit të kurorës në rubrikat e Washington Post. Ai udhëtoi në konsullatën saudite në Stamboll për të marrë letrat që i nevojiteshin për t’u martuar me Hatice Cengiz, një shtetase turke.

Në Twitter, Cengiz e dënoi një deklaratë të tillë, duke thënë se “Jamal vdiq sërish sot”. “Ne menduam se ndoshta drita e drejtësisë mund të vinte nga SHBA-ja, por sërish paratë ishin të parat”, shtoi ajo. /Telegrafi/

Exit mobile version