Xherdan Shaqiri ka thënë se Zvicra është në situatë më pozitive para ndeshjes kundër Italisë, të vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Botëror.
Azzurrët janë nikoqirë të Helvetikëve të premten mbrëma në Stadio Olimpico të Romës, derisa në të njëjtin stadium nikoqirët kishin fituar me rezultat 3-0 në kuadër të ‘Euro 2020’.
“Jam këtu me një ndjenjë ndryshe, më pozitive sesa kur luajtëm në Olimpico gjatë Euros”, ka thënë Shaqiri në një konferencë për shtyp.
“Është sezon i ri, trajner i ri, e shikojmë të ardhmen me optimizëm dhe duam të tregojmë një reagim krahasuar me ndeshjen e qershorit, duke rikuperuar paksa nga krenaria që e humbëm në atë sfidë”, ka shtuar ai.
Italia dhe Zvicra kanë pikë të barabarta (nga 14) në krye të Grupit C dhe i dallon vetëm diferenca e golave. Prandaj, përkundër rezultatit të nesërm (e premte), lideri do të vendoset në xhiron e fundit.
“Kjo është ndeshja e vitit për neve dhe do të ishte sensacionale të fitonim. Italia është favorit i pastër, kanë cilësi të jashtëzakonshme dhe presim të jetë një ndeshje e shkëlqyer”, është shprehur mesfushori shqiptar.
Ashtu si Italia, edhe Zvicra ka mungesa të mëdha për këtë ndeshje: Granit Xhaka, Haris Seferovic, Nico Elvedi, Breel Embolo, Gregor Kobel, Zesiger, Christian Fassnacht e Steven Zuber. /Telegrafi/