Futbollisti shqiptar i Zvicrës, Xherdan Shaqiri në një intervistë për ueb sajtin e Stokes ka thënë se është normale që njerëzit presin shumë nga ai, por ai beson në aftësitë e tij dhe nuk brengoset për kritikat.
“Normale që njerëzit presin shumë nga unë. Për mua kjo nuk është e rëndësishme. Nuk i lexoj gazetat. Unë besoj në vetën time dhe unë luaj për bashkëlojtarët. Mendoj se kam luajtur mjaft mirë dhe kam luajtur për bashkëlojtarët dhe kjo është e rëndësishme”, ka thënë Shaqiri për ueb faqen e klubit, shkruan albinfo.ch.
Ai ka folur edhe për synimet me Zvicrën. “Ne kemi arritur qëllimin primar që të kualifikohemi më tutje. Ne duhet të luajmë shumë mirë që të kualifikohemi tutje. Duhet të luajmë si ekip”.
“Duhet t’i analizojmë ndeshjet dhe të shohim se cila është gjëja më e mirë për ekipin tonë. Të shohim nëse trajneri do të bëjë ndërrime ose jo”, theksoi Shaqiri, i cili shtoi se nuk ka lëndim të rëndë, por vetëm është gërvishtur në fytyrë. Zvicra në 1/8 e finaleve do të luajë ndaj Polonisë.