Telegrafi

Shaqiri: Përballja ndaj Serbisë – vetëm një ndeshje futbolli, asgjë tjetër

(Foto: Getty Images)

Futbollisti shqiptar që e përfaqëson Zvicrën, Xherdan Shaqiri, ka thënë se shumëkush mendon që ndeshja ndërmjet Helvetikëve dhe Serbisë do të jetë e tensionuar për shkak të prezencës së shumë shqiptarëve në skuadër, mirëpo ai nuk mendon se do të ndodhë ashtu.

Mesfushori 26-vjeçar është njëri prej katër futbollistëve që do ta përfaqësojnë Zvicrën në Kampionatin Botëror në Rusi, krahas Blerim Xhemailit, Granit Xhakës dhe Valon Behramit.

Xherdan Shaqiri duke festuar triumfin në Ligën e Kampionëve me Bayern Munichun (2013) me flamurin e Kosovës dhe atë të Zvicrës (Foto: Getty Images)

Përfaqësuesja e tyre luan në Grupin E, ku ndodhet edhe Serbia, Brazili dhe Kosta Rika.

“Shumëkush mendon se do të ketë shumë politikë, sepse disa nga bashkëlojtarët e mi dhe unë kemi origjinë nga Kosova, ndërsa ka pasur luftë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Por, kjo është ndeshje futbolli. Asgjë tjetër”, ka thënë Shaqiri në një intervistë për Luzerner Zeitung.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet për Xherdan Shaqirin

Ai ka thënë se Zvicra ka një grup të vështirë, mirëpo shpreson që në ‘Rusia 2018’, përfaqësuesja e tij të shkojë së paku deri në çerekfinale.

Favorit në Grupin E, sipas Shaqirit, është Brazili, ndërsa skuadra e tij shpreson që të shkojë më larg se në Kampionatin Botëror të vitit 2014.

Xherdan Shaqiri si lojtar i Zvicrës (Foto: Getty Images)

Ndërsa sa u përket favoritëve që mund ta fitojnë Kampionatin e sivjetmë Botëror, mesfushori ka thënë se ekipet e mëdha gjithmonë konsiderohen favoritë.

“Vështirë. Gjithmonë janë të njëjtët favoritë: Gjermania, Franca, Brazili, Spanja. Të mëdhenjtë mbesin favoritë të mëdhenj. Franca është një favorit i madh. Ka një skuadër shumë të mirë si sulm, ashtu edhe në mbrojtje”, është shprehur Shaqiri. /Telegrafi/