Site icon Telegrafi

Shaqir Totaj sipas Institutit GAP ka përmbushur plotësisht afër gjysmën e premtimeve të dhëna në fushatën e vitit 2021

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj gjatë qeverisjes së deritanishme ka arritur që të përmbush plotësisht afër gjysmën e premtimeve të dhëna në fushatën parazgjedhore të vitit 2021.

Instituti GAP, në bashkëpunim me Helvetas dhe Projektin për Decentralizimin dhe Përkrahje Komunave (DEMOS), ka publikuar ditë më parë përditësimin e shkallës së përmbushjes së premtimeve zgjedhore për kryetarët e komunave për mandatin 2021-2025, që përfshin periudhën monitoruese deri në fund të qershorit 2024, raporton Telegrafi.

Sipas këtyre të dhënave, nga gjithsej 78 premtime të qeverisjes aktuale lokale në Komunën e Prizrenit, 36 premtime janë përmbushur plotësisht (afër 50%), 20 premtime janë gjysmë të përmbushura (afër 25%), 15 janë në fazën fillestare të realizimit (rreth 16%) dhe 7 premtime ende nuk kanë filluar (9%).

Kryetari Shaqir Totaj ka vlerësuar se ky raport paraqet “një mjet të rëndësishëm monitorimi për angazhimin tonë gjatë mandatit”. Sipas tij, krahas premtimeve janë realizuar edhe projekte tjera të rëndësishme.

“Përveç këtyre premtimeve, Komuna e Prizrenit ka realizuar me qindra projekte të rëndësishme që nuk ishin pjesë e premtimeve elektorale, duke kontribuar kështu në përmirësimin e jetës së qytetarëve”, është shprehur Totaj.

Totaj është zgjedhur kryetar i Komunës së Prizrenit në zgjedhjet komunale të mbajtura në vjeshtë të vitit 2021. Sipas rezultateve të publikuara në ueb faqen e KQZ-së, në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj i PDK-së pat marrë 27 mijë e 689 vota apo 50,93%, derisa Mytaher Haskuka i LVV-së ka marrë 26 mijë e 680 vota apo 49,07%, raporton Telegrafi.

Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të raundit të dytë nga ana e KQZ-së, Totaj pati vlerësuar se ka ardhur koha për të punuar për Prizrenin e të ardhmes si dhe përmirësimin e jetesës së qytetarëve. /Telegrafi/

Exit mobile version