Telegrafi

Shani Tarashaj: Babai im ka ushqyer 50 familjarë në Kosovë (Foto)

Talenti shqiptar që luan për Zvicrën, Shani Tarashaj gjatë një bisede për gazetën gjermane “Bild.de” ka treguar lidhjen dhe respektin që e ka për babanë e tij.

Në barazimin 2:2 që ekipi i tij Eintracht Frankfurt e zhvilloi ndaj Bayernit të Munichut, në tribuna për të përcjell atë ishin edhe prindërit dhe motrat e tij. Ata ishin krenarë për Shaniun e tyre, po aq sa është edhe ai krenar për familjen e tij. Sidomos për atë çfarë ka bërë babai i tij, Ymeri, shkruan bild.de.

Tarashaj tregon se babai i tij që në moshën 17 vjeçar kishte ardhur nga Prizreni për të punuar në Zvicër. “Prej kur babai i tij që ishte më i vjetri në familje ndërroi jetë në një moshë shumë të re, atij iu desh të kujdeset dhe t’i mbajë me ushqim gjithë familjen. Afër 50 persona kanë jetuar prej tij”, thotë Tarashaj për babanë e tij, Ymerin, përcjell “albinfo.ch”.

Shani Tarashaj me të atin në një kafe çasti

Sumuesi 21 vjeçar shprehet se është shumë krenar për atë çfarë babai i tij ka bërë për familjen e tyre. “E falënderoj për kushtet në të cilat ne jetojmë tash. Unë i jap atij para dhe dashuri, aq sa kam mundësi. Do të mundohem gjithmonë që të jem përkrah tij dhe t’ia shpërblej për atë çfarë ai ka bërë për mua”.

Ish lojtari i Grasshoppers, i cili u transferua te ekipi anglez Everton, por që tashmë është huazuar në Eintracht Frankfurt, ka thënë se babai i tij është i çmendur pas futbollit dhe ai dëshiron që të jetë rregullisht i pranishëm në tribuna për të parë secilën ndeshje që Tarashaj do ta zhvillojë gjatë këtij viti.