Site icon Telegrafi

Shangai goditet nga tajfuni më i fuqishëm në 75 vjet

Një tajfun i fuqishëm “ka zbarkuar” në tokë pranë qendrës financiare kineze të Shangait.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, tajfuni Bebinca goditi rreth orës 7:30 me orën lokale të hënën në zonën bregdetare të Lingang New City në lindje të Shangait, tha Administrata Meteorologjike e Kinës.

Mijëra banorë në zonën metropolitane të Shangait janë evakuuar, ndërsa të gjitha fluturimet në dy aeroportet kryesore të qytetit janë ndalur.

Tajfuni Bebinca është stuhia më e fortë që ka goditur Shangain në 75 vjet, sipas mediave shtetërore kineze.

Është e rrallë që Shangai të goditet drejtpërdrejt nga tajfunët e fortë, të cilët tentojnë “të zbresin” më tej në jug të Kinës.

Autoritetet kanë lëshuar një alarm të kuq, niveli më i lartë, pasi është regjistruar shpejtësia e erës deri në 151 km/h.

Shërbimet e trenave janë anuluar, autostradat janë mbyllur dhe 25 milionë banorët e Shangait janë këshilluar të qëndrojnë në shtëpi përpara mbërritjes së stuhisë. /Telegrafi/

Exit mobile version