Trajneri i Fushë Kosovës, Burim Shala, e ka cilësuar si të dhimbshme humbjen e ekipit të tij ndaj Ballkanit.
Ballkani arriti të mposhtë Fushë Kosovën me rezultat 2-1, duke përmbysur ndeshjen pas epërsisë së hershme të mysafirëve.
“Është humbje e dhimbshme. Nuk fitoi Ballkani por ne e humbëm lojën. Lojtarët ishin në gjitha aspektet në nivel. Ta ndalosh Ballkanin të mos krijojë asnjë rast në gjithë ndeshjen, është për t’u përgëzuar. Lojtarët ishin kompakt dhe brenda ekuilibrit. Ballkani na shënoi gol pasi humbëm topin në mesfushë dhe na zurën në kundërsulm. Është e dhimbshme. Me një goditje nga këndi dhe dy raste, që nuk mund t’i quajë të tilla, u mposhtëm”, ka thënë fillimisht Shala.
“Pas epërsisë kishim raste por ishim pa fat. Po u lutem lojtarëve që të marrin më shumë përgjegjësi, të kenë guxim sepse kanë cilësi. Kemi pasur lojëra të mira por pikët shkojnë. Na duhej një pikë e madhe në Suharekë. Megjithatë, duhet të luftojmë për ndeshjet e mbetura”.
“ Në janar do të ketë organizim dhe do të marrim përforcime. Por, momentalisht, këta djem janë heronj për mua marrë për bazë situatën aktuale. Jam i kënaqur me grupin”, përfundoi ai./Telegrafi/