Telegrafi

​Shaip Kamberi pas rizgjedhjes deputet: Faleminderit pafund, bashkë ia dolëm

Shaip Kamberi ka fituar mandatin e deputetit në Kuvendin e Serbisë pas rivotimit që u bë në Tërnoc të Bujanocit.

Kamberi pasi fitoi mandatin e deputetit ka falënderuar të gjithë shqiptarët që të enjten, votuan për të dhe Koalicionin e Shqiptarëve të Luginë.

Lexoni të plotë postimin e Kamberit:

“Faleminderit pafund  

Qytetarëve të Lagjes së Strukarëve të cilët përtej  bindjeve politike sot votuan për përfaqësimin e shqiptarëve.

Njëzëri.

Faleminderit partnerëve të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës për angazhimin, përkushtimin dhe betejën që udhëhoqëm e fituam bashkë.

Faleminderit edhe subjekteve tjera politike që veprojnë në Bujanoc e të cilat ndëgjuan drejtë nevojën e popullit shqiptar për vazhdimin e përfaqësimit parlamentar.

Vëzhguesve të PVD-së, PD-së, LPD-së e APN-së për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor duke e ruajtur kështu të drejtën themelore të demokracisë – që mundësuan realizimin e votës së lirë.

28 Prilli na bëri të gjithëve bashkë e bashkë ia dolëm të gjjthë.

Unë do të vazhdojë të jem zëri i të gjithë qytetarëve pa dallim.

Përtej çdo bindje politike janë shqiptarët.

Faleminderit!

Bashkë ia dolëm”.

Ndryshe, pas vendimit për përsëritjen e zgjedhjeve në qendrën 6 të vendvotimit në Bujanoc, kryetari i koalicionit të Shqiptarëve të Bashkuar, Shaip Kamberi, ka arritur votat e nevojshme që të bëhet deputet në Parlamentin e Serbisë.

Kamberi do të jetë zëri i shqiptarëve në Kuvendin serb.

Kamberi, i cili në zgjedhjet e 3 prillit garoi në kuadër të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, kishte kërkuar ri-përsëritje të votimit, pasi sipas tij këto zgjedhje u karakterizuan me dalje të ulët të shqiptarëve, për shkak të “pasivizimit të adresave të shqiptarëve”.

Partitë shqiptare në Serbi në këto zgjedhje garuan me dy lista: Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar dhe Alternativa Demokratike Shqiptare – me gjithsej 20 kandidatë. Këto dy lista kanë marrë afër 13 mijë vota.

Për votimin e Kamberit, kishte bërë thirrje edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se e meriton të jetë pjesë e Kuvendit të Serbisë. /Telegrafi/