Partia Demokratike e Kosovës është duke synuar edhe një mandat për të udhëhequr me Komunën e Dragashit. E figura që beson se do ta udhëheq këtë parti drejt fitores është Shaban Shabani.
Në një prononcim për Telegrafin, Shabani ka thënë se gjatë takimeve që kanë pasur me qytetarët kanë vërejtur një entuziazëm për të përkrahur edhe në këto zgjedhje PDK-në.
Në këtë kontekst, ndonëse nuk ka mundur të thotë se ai do të dalë fituese që në rundin e parë – pa balotazh – Shabani ka thënë se është i bindur se fitorja do t’i takojë PDK-së.
“Komuna e Dragashit edhe në të kaluarën vazhdimisht ka shkuar në balotazh, andaj është e arsyeshëm e pritshme që edhe kësaj radhe mund të ketë balotazh. Gjithsesi, një gjë është e sigurt, edhe në raundin e parë, por edhe në raundin e dytë – nëse do të ketë një të dytë – PDK-ja do të dalë partia fituese”, ka thënë Shabani.
“Nuk është e rastësishme që PDK-ja ka marrë besimin e qytetarëve edhe në tri mandatet e kaluara. Kjo sepse programi i PDK-së është më i miri dhe më i realizueshmi. Komuna e Dragashit vazhdon të ketë nevojë për PDK-në”.
Kandidati i PDK-së për të parin e Dragashit në zgjedhjet e 22 tetorit ka theksuar se pas marrjes së detyrës së kryetarit të Komunës, prioritet kryesor do të ketë zhvillimin ekonomik, sidomos investimet në bujqësi e turizëm.
“Jo më pak të rëndësishme do të jenë edhe energjetika, infrastruktura, reformimi i administratës, mbrojtja e ambientit, investimet në rini, kulturë dhe sport. Çfarë besojmë se do të jetë një ndihmesë për ne është edhe fakti se për realizimin e projekteve, do ta kemi mbështetjen e nivelit qendror – pasi PDK është faktor kryesor në Qeverinë e Kosovës”, ka thënë tutje Shabani. /Telegrafi/