Telegrafi

Sezoni i Ligës Premier është pezulluar pafundësisht për shkak të coronavirusit, nuk ka datë zyrtare për rikthim

Kthimi i futbollit dhe Ligës Premier tani nuk ka një datë përfundimtare pas takimit të aksionarëve.   

Fillimisht futbolli në Angli u pezullua deri më 30 prill për shkak të shpërthimit të coronavirusit, por në një deklaratë të re, Liga Premier thotë se edicioni aktuale do të rifillojë vetëm kur të jetë gjithçka e sigurt.

Sipas tyre më e rëndësishmja është që të ruhet shëndeti dhe mirëqenia e kombit dhe komuniteteve tona, përfshirë lojtarët, trajnerët, menaxherët, stafin e klubit dhe tifozët.

 

“U pranua që Liga Premier nuk do të rifillojë në fillim të majit – dhe se sezoni 2019/20 do të kthehet vetëm kur është i sigurt dhe i përshtatshëm për ta bërë këtë”.

“Data e rifillimit është nën rishikim të vazhdueshëm me të gjithë palët, pasi ndikimi i pandemisë COVID-19 po rritet dhe ne do të punojmë së bashku gjatë kësaj kohe shumë sfiduese”.

“Liga Premier është duke punuar ngushtë me tërë futbollin profesional në këtë drejtim, si dhe me Qeverinë, agjensitë publike dhe aktorët e tjerë të rëndësishëm për të siguruar që loja të arrijë një zgjidhje bashkëpunuese mes palëve”.

Sergio Aguero e Virgil van Dijk (Photo by Shaun Botterill/Getty Images)

“Me këtë, ekziston një objektiv që të gjitha ndeshjet e mbetura të ligës vendase dhe kupave të zhvillohen, duke na mundësuar që të ruajmë integritetin e secilit garim”.

“Duke patur parasysh humbjet e vazhdueshme dhe të mëdha për sezonin 2019/20 për shkak të pezullimit të ndeshjeve, klubet e Premier Ligës vendosën unanimisht të konsultohen me lojtarët e tyre në lidhje me një kombinim shkurtimi pagash dhe shtyrje pagesash, në masën 30% të rrogës vjetore”

“Sidoqoftë, çdo kthim në lojë do të bëhet vetëm me mbështetjen e plotë të Qeverisë” thuhet në njoftimin e Ligës Premier. /Telegrafi/