Prof. med. PhD. Hamdi Ramadani,
Infektolog
Tel: 044137050
Me ardhjen e vjeshtës dhe me afrimin e dimrit, një ndër çështjet më të rëndësishme shëndetësore është sezoni i gripit. A do të jetë sezon serioz i gripit? Këtë dimër a do të ketë rritje të coronavirusit? Si do të ndikojë ky bashkim me sezonin e gripit në COVID-19?
Edhe pse mund të parashikojnë si do të duket dimri, mund të punojmë në përgatitje dhe reagim adekuat dhe në edukim, sepse patjetër do të përballemi me sezonin e gripit të mbështjellë në pandemi globale.
Strategjitë e preventivës së COVID-19 të cilat aktualisht po i aplikojmë, do të duhej të ndihmonin në zvogëlimin e transmetimit të gripit. Vaksinimi gjithashtu do të mund të zvogëlojë rastet e gripit.
Gripi është një sëmundje virale që mund të shkaktojë komplikime të rënda, madje edhe dhe vdekje, megjithëse për shumicën e njerëzve është sëmundje kalimtare.
Zakonisht transmetohet nga personi te personi me kollë, teshtitje, sekrecion apo me pështymë, e cila mund të jetë në duart e dikujt. Virusi mund të transmetohet edhe nga sipërfaqja të cilën e kanë prekur njerëzit e infektuar. Veshët dhe sytë gjithashtu mund të jenë “hyrje” për viruse, mirëpo kjo është më pak e besueshme.
Kur virusi të hyjë në trup, do të gjejë rrugën deri te sistemi i imunitetit, mirëpo kjo nuk do të ndodhë menjëherë. Periudha e inkubacionit zakonisht është një deri në katër ditë, mesatarisht dy ditë, mirëpo pa marrë parasysh këtë është shumë infektiv për atë kohë.
Me fjalë të tjera, simptomat e gripit nuk do të shfaqen menjëherë, mirëpo gjatë asaj kohe ju mund t’ua transmetoni virusin të tjerëve. Më saktësisht, virusi sulmon epitelët respiratorë, qelizat të cilat gjenden në traktin respirator. Me ndihmën e proteinës së caktuar, virusi lidhet për qelizën dhe pastaj hyn në të, duke alarmuar sistemin e imunitetit.
Kur sistemi i imunitetit e detekton virusin në trup, do të reagojë shpejt. Si pjesë e atij reagimi, do të shfaqen disa simptoma. Ethet, dhembje e muskujve, janë rezultat i tajitjeve të kimikalieve të caktuara në sistemin e imunitetit, në mënyrë që të luftojë kundër virusit.
Te një e katërta e njerëzve fare nuk shfaqen simptoma gripi, gjë që nuk do të thotë që imuniteti nuk funksionon.
Si të shërohet gripi?
Është e nevojshme ta kuptojmë seriozisht dhe të rrimë në regjim shtrati, pos nëse nuk është e nevojshme ndihma e mjekut.
Duhet të dimë që:
– organizmit të infektuar me virusin e gripit i nevojitet të pushojë shumë dhe i nevojiten lëngje
– temperatura e lartë, dhembjet e muskujve dhe dhembja e kokës mund të zbuten me ilaçe pa receta nga barnatoret
– te dhembjet dhe temperatura do të ndihmojnë analgjetikët dhe antipiretikët – te mbyllja e hundës ndihmojnë suplementet e kombinuara me vitaminën C dhe me mjetin për pastrim të hundës
– dhembjen e fytit do ta zbusin antiseptikët dhe anestetikët lokalë në formë të pastileve
– ushqimi i lehtë siç është p.sh. supa është një përforcim ideal për organizmin e dobësuar
– ilaçet antivirusale, janë të rezervuara për rastet e rënda klinike dhe në rast të pandemisë së gripit.
Nëse temperatura nuk ulet apo shfaqen simptoma siç janë humbja e vetëdijes, nxjerrja e sekrecionit me anë të kollës, ënjtja e nyjave limfatike, të vjellat apo puçrrat, shkoni menjëherë te mjeku juaj.
Është mirë të dini:
– Sipas udhëzimeve të shumta, paracetamoli është ilaçi i zgjedhjes së parë në uljen e temperaturës së lartë të trupit. Ai vjen në forma të ndryshme (pastile, qese me pluhur, shurup, supozitorë) dhe gjithashtu ndihmon në lehtësimin e dhimbjeve të nyjave dhe muskujve, dhimbjes së kokës dhe dhimbjes së fytit.
Përveç paracetamolit, ilaçet që ulin temperaturën dhe veprojnë si qetësues të dhimbjeve janë ibuprofeni dhe acidi acetilsalicilik, të cilat ekzistojnë në formën e tabletave, tabletave të gjelbra, supozitorëve dhe shurupeve (ibuprofen).
Pyesni farmacistin tuaj se cili nga këto ilaçe rekomandohet për gjendjen tuaj dhe në cilën dozë, duke pasur parasysh sëmundjet dhe ilaçet e tjera që po përdorni dhe moshën tuaj për të shmangur ndërveprimet e mundshme.
– Pastilet dhe sprejet e fytit janë ilaçe me veprim antiseptik dhe/ose analgjetik në formën e sprejeve ose pastileve, të cilat duhet të treten ngadalë në gojë. Por kini kujdes që të mos e teproni me dozën: ndiqni udhëzimet e dozimit.
– Dekongjestivët në formën e sprejeve dhe pikave për hundë: Sprejet dhe pikat e hundës që shkaktojnë kongjestion të hundës janë jashtëzakonisht të efektshme në lehtësimin e simptomave të kongjestionit të hundës, të cilët shkaktojnë vazokonstruksionin dhe në atë mënyrë zvogëlojnë ënjtjen e mukozës së hundës, vëllimin e mukozës dhe lehtësojnë qarkullimin e ajrit. Meqenëse ky grup i ilaçeve nuk u rekomandohet grupeve të caktuara të të sëmurëve, është e nevojshme të këshilloheni me farmacistin rreth zgjedhjes së drejtë.
– Shurupet dhe ilaçet për qetësimin e kollës apo për nxjerrjen jashtë të këlbazës: Ilaçet e kollës së thatë që përdoren për këtë qëllim përmbajnë butamirate, por kur bëhet fjalë për të ashtuquajturën kollë produktive, duhet të merren mukolitikë, pra ilaçe që ndihmojnë në hollimin e mukozës dhe kështu lehtësojnë kollitjen. Për shembull acetilcisteina, bromheskina, ambroksoli apo ekstrakti i standardizuar i fletëve të brushtullit.
– Shtesat në ushqim për forcim të imunitetit: Marrja optimale e vitaminave dhe mineraleve është e domosdoshme për punën e drejtë të sistemit të imunitetit. Kjo do të ndihmohet nga një shtesë ushqimore vitaminë-minerale, e cila në përbërjen e saj të pasur përmban edhe vitaminë A, vitaminë D, bakër, zink dhe selen, të cilat kontribuojnë në funksionimin normal të sistemit imunitar.
Kërkoni këshillën e farmacistit tuaj për zgjedhjen e duhur të ilaçeve për ju. Dhe le të kujtojmë – antibiotikët nuk janë ilaçe për gripin, sepse ato veprojnë ekskluzivisht ndaj baktereve, ndërsa gripi është një virus!
Masat e përgjithshme
Këtu janë numëruar disa:
– Ajrosja më e shpeshtë e dhomës.
– Shmangia e turmave gjatë një epidemie
– Izolimi në shtëpi i pacientëve dhe zvogëlimi
Vaksinimi kundër gripit sezonal
Dihet se gripi është një sëmundje e zakonshme e frymëmarrjes që në shumicën e rasteve shfaqet me simptoma të ftohjes, si rrjedhje hundësh, dhimbje fyti ose temperaturë. Ajo që e dallon gripin nga ftohja është se ai shfaqet papritur dhe ka simptoma shtesë si dhimbje kyçesh, rraskapitje, ethe, dhimbje koke, humbje oreksi, të vjella, diarre ose kollë. Po ashtu te gripi janë edhe komplikime të shpeshta, para së gjithash, inflamacioni i mushkërive (pneumonia), inflamacioni i muskulit të zemrës (miokardi), inflamacioni i mbështjellësve të trurit (meningjiti) dhe inflamacioni i trurit (encefaliti), i cili mund të jetë vdekjeprurës.
Për këtë shkak popullatës në përgjithësi i rekomandohet që të marrë vaksinën kundër gripit. Në këtë mënyrë mbrojnë veten, por edhe anëtarët e familjeve të tyre, personat me sëmundje kronike dhe malinje ose personat me imunodeficiencë.
Si rezultat i mbulimit më të madh me vaksinim, krijohet imunitet kolektiv në popullatë dhe në këtë mënyrë parandalohet përhapja e epidemisë. Natyrisht, kjo bëhet pas konsultimit me mjekun, në mënyrë që ata persona të forcojnë imunitetin e tyre dhe dukshëm të ulin rrezikun e zhvillimit të një forme më serioze të sëmundjes, të formës së rëndë me komplikime apo vdekje.
Vaksinimin duhet filluar në stinën e vjeshtës, në tetor dhe nëntor, në mënyrë që në kohën e shfaqjes së epidemisë organizmi ynë të jetë i gatshëm për t’u mbrojtur.
Ka rëndësi të përmendet që për krijimin e mbrojtjes së organizmit nga gripi duhen rreth tri javë dhe që çdo vit ky virus sulmon deri në 15% të popullatës botërore. Edhe pse asnjë vaksinë kundër gripit nuk ofron mbrojtje 100%, efektiviteti i saj dhe niveli i mbrojtjes që i ofron është i tillë që ofron një përfitim të padyshimtë në parandalimin e sëmundjeve por edhe të komplikimeve dhe simptomave të rënda klinike.
Efektiviteti i vaksinës te të rinjtë e shëndetshëm është midis 70% dhe 90%, ndërsa është paksa më i ulët te të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
Për imunizimin përdoren vaksinat e inaktivizuara të gripit.
Infektimi i përnjëhershëm me coronavirus dhe grip sezonal mund të çojë në komplikime te personat e pavaksinuar, andaj ftohen të gjithë qytetarët që të vaksinohen kundër gripit.
Në jehonën e vaksinimit kundër coronavirusit, nuk ka asnjë arsye për t’u frikësuar nga vaksinimi kundër gripit – kemi shumë përvojë, e dimë se si funksionon dhe çfarë është gripi dhe këto dy vaksina nuk kanë pika kontakti dhe mund të merren njëkohësisht ose me ndonjë diferencë kohore. /Telegrafi/