Telegrafi

Sevilla e dominon Romën, fiton lehtësisht dhe kalon në çerekfinale

Sevilla - Roma . (Photo by Friedemann Vogel/Pool via Getty Images)

Sevilla është skuadra e gjashtë që ka siguruar çerekfinalen në Ligën e Evropës.

Skuadra spanjolle ka mposhtur lehtësisht Romën edhe pse pritej një duel më i baraspeshuar.

Se pritej goli i Sevillës tregoi loja në fillim të saj, me skuadrën e Lopeteguit që dominonte në fushë.

E në minutën e 22-të, mbrojtësi i majtë Sergio Reguilon depërtoi për mrekulli në zonë dhe me një goditje të saktë mposhti portierin Pau Lopez për 1-0.

Sergio Reguilon. (Photo by Wolfgang Rattay/Pool via Getty Images)

Kur skuadrat po përgatiteshin të shkonin në pushim të mes pjesëve, Lucas Ocampos bëri një depërtim fantastik dhe asistoi për En Nesyri i cili shënoi në portën e zbrazët për 2-0.

Me epërsinë e dyfishtë të spanjollëve, skuadrat shkuan në pushim prej 15 minutave.

Sevilla . (Photo by Friedemann Vogel/Pool via Getty Images)

Edhe në pjesën e dytë Sevilla ishte më e mirë në fushë, me Giallorosët që ishin totalisht jashtë formës.

Klubi spanjoll shënoi edhe një gol tjetër në minutën e 74-të me anë të Koundes, por që u anulua për pozitë jashtë loje.

Sevilla – Roma . (Photo by Friedemann Vogel/Pool via Getty Images)

Deri në fund nuk pati më gola dhe Sevilla kaloi me plot meritë në çerekfinale të Ligës së Evropës.

Kësisoj përveç Sevillës, një biletë për në çerekfinale e kanë siguruar edhe Copenhagen, Manchester United, Inter, Shakhtar dhe Bayer Leverkusen. /Telegrafi/