Presidenti i FIGC, Gabriele Gravina konfirmoi se do të ketë pesë zëvendësime edhe në sezonin 2020-21 në Serie A.
Vendimi i emergjencës u prezantua për të parandaluar dëmtimet dhe rraskapitjen në periudhën e bllokimit pas COVID-19, kur lojërat luheshin në nxehtësinë e verës çdo tre ditë.
FIFA dha lejen që rregulli të vazhdojë për sezonin 2020-21, për shkak të rrethanave të pazakonta që vazhdojnë të ndikojnë në futboll.
Disa kampionate vendosën të mos e shfrytëzojnë këtë mundësi, por jo edhe Serie A që ka konfirmuar këtë rregull edhe për sezonin e ri.
“Lega Serie A ka kërkuar aplikimin e pesë zëvendësimeve gjatë sezonit 2020-21”, shpjegoi fillimisht Gravina në një konferencë për shtyp, shoqëruar nga Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.
“Prandaj mund të them sot që do të ketë pesë zëvendësime që nga fillimi i sezonit”, përfundoi presidenti i FIGC-së.
Deri më tani, Liga Premier në Angli ka hedhur poshtë mundësinë për të përdorur rregullin e pesë ndryshimeve. /Telegrafi/