Mediat serbe kanë mbetur të pakënaqura me vendimet e UEFA-s në lidhje me klubet shqiptare që do të marrin pjesë në Kupat e Evropës.
UEFA vendosi të respektojë vendimin e CAS, duke pezulluar Skënderbeun për një vit nga garat evropiane, ndërsa vendin e tij e zuri skuadra e Partizanit, që sezonin e fundit u shpall nënkampion në Superligën Shqiptare.
Futja e Skënderbeut në shortin kualifikues në Ligën e Kampionëve edhe pse pritej një vendim nga CAS, është çështja e parë që shqetëson ‘novosti.rs’, e cila befasohet edhe më shumë me vendin që i rezervuan Partizanit nga Europa League, në Ligën e Kampionëve, edhe pse tashmë ka zhvilluar një ndeshje me Bratislavën në Shqipëri.
Por sikur të mjaftonin këto, ‘Novosti’ akuzon UEFA-n se pse dënohet Serbia me mjete financiere kur tifozët hapin parulla “Kosova është Zemra e Serbisë”, por nuk ndodhi e njëjta për parrullat në Marseille “Kosova është Shqipëri”.
“Kështu, shqiptarët kanë disa privilegje të veçanta në UEFA”, përfundon shkrimin media serbe.