Refuzimi i ditëve të para nga autoritetet ruse për pajisjen me vizë hyrëse në Rusi të Ylber Ramadanit dhe Labinot Ibrahimit ka bërë jehonë në mediat serbe, të cilët krenoheshin me refuzimin e “vëllezërve” rusë ndaj kosovarëve.
Portali serb supersport.rs, shkrimin për çështjen e futbollistëve të Partizanit e hap me këtë titull: “Bravo vëllezër, rusët nuk lejojnë futbollistët nga Kosova që të luajnë në Krasnodar”.
Në këtë portal, por edhe në faqe të tjera, ata i referohen prononcimit të drejtorit të Përgjithshëm të Partizanit, Genc Tomori, dhënë për “Panorama Sport”, ku thuhet se Ambasada Ruse në Shqipëri i ka informuar se nuk mund të japë viza për dy futbollistët me pasaportë kosovare.
Duke ditur që Rusia nuk e njeh Kosovën, mediat fqinje pohojnë se Labinot Ibrahimi nga Prishtina dhe Ylber Ramadani nga Ferizaj, e kanë thuajse të pamundur që të pajisen me vizë nga Ambasada Ruse në Tiranë.