Site icon Telegrafi

Serbët e Kosovës drejt Serbisë – përkrahin protestat e studentëve kundër Vuçiqit

Disa qytetarë serbë të Kosovës dhe studentë janë nisur drejt Serbisë për të shprehur mbështetjen e tyre ndaj protestave studentore që po zhvillohen në disa qytete të vendit.

Këto protesta, të cilat kanë vazhduar prej muajsh, janë shndërruar në një lëvizje të gjerë sociale, duke përfshirë studentë, akademikë dhe qytetarë të pakënaqur me situatën aktuale në Serbi.

Sipas raportimeve të KoSSev, studentët që udhëtojnë nga Kosova kanë ndarë imazhe nga rruga, ku shfaqen në humor të mirë dhe të vendosur për të marrë pjesë në protestat e organizuara. Ata janë ndalur për një pushim në Kralevë, ku kanë bërë disa fotografi që janë publikuar më pas në rrjete sociale.

“Le të mbështesim studentët, rininë dhe të gjithë ata që janë në grevë prej muajsh në mbarë Serbinë. Kemi mbetur në një vend për një kohë të gjatë”, kanë shkruar ata nga stacioni i autobusëve në Mitrovicë.

Lexo po ashtu Vuçiqit po i dështon tubimi, rrit pagesën për pjesëmarrësit në takim

Protestat në Serbi vazhdojnë prej disa muajsh pothuajse në çdo qytet, duke shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe institucioneve shtetërore. Ato u intensifikuan pas tragjedisë së shembjes së një strehe në stacionin e trenit në Novisad, ku humbën jetën 15 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Ky incident nxiti një reagim të gjerë publik dhe çoi në kërkesa për përgjegjësi nga autoritetet.

Përballë këtyre protestave në rritje, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar një tubim të madh me mbështetësit e tij në Sremska Mitrovicë. Ky tubim shihet si një kundërpërgjigje ndaj demonstratave studentore dhe një përpjekje për të treguar forcën politike të qeverisë së tij. Megjithatë, protestuesit kanë deklaruar se nuk do të ndalen deri sa kërkesat e tyre të merren seriozisht dhe të ketë ndryshime konkrete në qeverisje.

Situata mbetet e tensionuar, me protestat që vazhdojnë të tërheqin vëmendjen e opinionit publik dhe të komunitetit ndërkombëtar. /Telegrafi/

Exit mobile version