Telegrafi

Sëmundja e sheqerit te gratë

Dita Botërore e Diabetit – 14 nëntori, në këtë vit i është përkushtuar grave me sëmundje të sheqerit duke promovuar të drejtën e tyre për një të ardhme të shëndetshme.

Ass.dr.Merita Emini Sadiku, MSc, PhD
Interniste-endokrinologe-diabetologe
tel: 044 161 069

Sëmundja e sheqerit është sëmundje metabolike që manifestohet me rritje të sheqerit në gjak për shkak të sekretimit të pakët të hormonit të insulinës, rezistencës në veprim të saj ose mungese së plotë të këtij hormoni.

Kjo sëmundje mund të prek secilin, pavarësisht nga mosha, raca, gjinia ose stili i jetës.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Diabetit (IDF), sot:

• Janë mbi 199 milion gra që jetojnë me diabet. Ky numër pritet të rritet deri në 313 milion në vitin 2040.
• 2 nga 5 gra me diabet janë të moshës reproduktive, duke llogaritur këtu mbi 60 milion gra në tërë botën.
• Diabeti është shkaktari i 9-të i vdekjeve tek gratë, duke shkaktuar 2.1 milion vdekje në vit.
• Gratë me diabet tip 2 pothuajse 10 herë janë më të prirura të kenë sëmundje koronare të zemrës se sa gratë pa këtë sëmundje.
• Gratë me diabet tip 1 kanë një rrezik të rritur për aborte të hershme spontane si dhe për të pasur bebe me malformacione.

Në një studim të vitit 2007 të publikuar në Annals of Internal Medicine, është gjetur që në mes viteve 1971 dhe 2000, niveli i vdekjeve të meshkujve me sëmundje të sheqerit ka pasur rënie, i cili bazohej në avancimet në trajtimin e sëmundjes së sheqerit.

Megjithatë, sipas këtij studimi, niveli i vdekjeve për gratë me sëmundje të sheqerit nuk ka treguar shenja të përmirësimit. Gjithashtu, diferenca e nivelit të vdekjeve në mes grave që kanë sëmundje të sheqerit dhe atyre që nuk kanë është dyfishuar.

Ky studim te gratë dhe burrat ka prezantuar disa arsye të mundshme për diferencat gjinore. Arsyet përfshijnë:

• Gratë zakonisht marrin trajtim më pak agresiv për faktorët e rrezikut kardiovaskularë dhe kushtet të cilat lidhen me sëmundjen e sheqerit.
• Komplikimet e sëmundjes së sheqerit tek gratë janë më të vështira për t’u diagnostikuar.
• Gratë zakonisht kanë lloje të ndryshme të sëmundjeve të zemrës në krahasim me meshkujt
• Hormonet dhe inflamacioni veprojnë në mënyra të ndryshme tek gratë
Shembuj të tjerë se si diabeti prek grat ndryshe nga meshkujt janë si në vijim:
• Sëmundja e veshkave është një komplikim tjetër i diabetit tip 1 dhe tip 2, i cili prek femrat më shumë se meshkujt.
• Depresioni është dy herë më i zakonshëm tek gratë me diabet në krahasim me meshkujt me diabet.
• Gratë me diabet janë më shumë të predispozuara për kontroll më të keq të glikemisë (që mund të çojë drejt hiperglikemisë dhe hipoglikemisë), obezitet, tension të lartë të gjakut dhe kolesterol të lartë në krahasim me meshkujt me diabet.

Në Klinikën e Endokrinologjisë, QKUK, gjatë vitit 2016 nga 770 pacientë me sëmundje të sheqerit, janë shtruar për trajtim hospitalor, ku 470 pacientë ishin femra dhe nga ky numër vetëm 30 gra ishin mbi moshën 80 vjeçare, duke nënkuptuar që vetëm një numër i vogël i grave me diabet arrin moshën e pleqërisë së vonshme.

Simptomat e përbashkëta (pa dallim gjinie) të diabetit:

• Etje dhe oreks i shtuar
• Urinim i shpeshtë
• Humbje e peshës ose shtim në peshë
• Lodhje
• Shikim i turbullt
• Plagë që shërohen ngadalë
• Infeksionet e lëkurës
• Lëkurë e errët në disa pjese të trupit (acantosis nigricans)
• Nervozë
• Erë acetoni
• Ndjeshmëri e dëmtuar e duarve dhe këmbëve

Simptomat e diabetit te gratë

Simptomat e grave me diabet janë të ngjashme me ato të meshkujve. Megjithatë, disa simptoma janë të veçanta tek gratë. Duke i kuptuar të dyja format e simptomave identifikimi i hershëm i grave me diabet do të jetë më i lehtë dhe qasja për trajtim më e hershme.

1. Infeksionet mykotike vagjinale dhe orale
Një rritje e shpejtë e mykrave të shkaktuar nga kërpudhat Candida albicans mund të shkaktojë infeksione vagjinale mykotike, dhe infeksione mykotike të gojës. Këto infeksione janë të zakonshme tek gratë.

Kur infeksioni zhvillohet në zonën vagjinale dhe simptomat përfshijnë kruarje, rrjedhje vagjinale dhe marrëdhënie seksuale të dhimbshme. Infeksionet mykotike të gojës shpesh shkaktojnë një shtresë të bardh si djathë në gjuhë dhe brenda gojës duke dhënë edhe vështirësi në gëlltitje. Nivelet e larta të glukozës në gjak ndikojnë në rritjen e kërpudhave.

2. Infeksionet urinare
Rreziku për infeksione të traktit urinar është më i madh tek gratë të cilat kanë diabet. Infeksionet e traktit urinar zhvillohen kur bakteret hyjnë në traktin urinar. Këto infeksione mund të shkaktojnë urinim të dhembshëm, ndjenjën e djegies, si dhe urinim me gjak ose të turbullt. Nëse lihen pa u trajtuar, ekziston rreziku i infeksionit të veshkave.

Infeksionet e traktit urinar janë të zakonshme tek diabeti për shkak të qarkullimit të dobët dhe pamundësisë së qelizave të bardha të gjakut për të reaguar më shpejt në qarkullimin e gjakut dhe për të ndërpre infeksionet.

3. Disfunksioni seksual tek femrat
Neuropatia diabetike ndodh atëherë kur glukoza e lartë në gjak dëmton fibrat nervore. Si rezultat i kësaj neuropatie ndodhë edhe dëmtimi i funksioni sekretues normal të vagjinës duke bërë që marrëdhëniet seksuale të jenë të dhembshme.

4. Sindromi i ovarit policistik
Gratë me diabet shpesh kanë sindromë të ovareve policistike (PCOS), e cila është një faktorë rreziku për diabet, dhe mund të rezultojë me problem të fertilitetit (mbetjes shtatzënë

Shtatzënia

Shtatzënia dhe diabeti tip 1 dhe tip 2

Femrat me diabet tip 1 ose tip 2 mund të kenë një shtatzëni të shëndetshme nëse ato mjekohen me rregull dhe kanë një stil jete të shëndetshme me aktivitet fizik dhe ushqim të shëndetshëm. Duke menaxhuar kështu diabetin, ato nuk do të kenë komplikime.

Nëse planifikojnë të kenë një fëmijë, është mirë që të përpiqen të mbajnë nivelet e glukozës në gjak sa më afër nivelit normal.

Gjatë shtatzënisë, nëse sheqeri në gjak është i lartë dhe për shkak të insulinës së pamjaftueshme ajo nuk mund të përdoret nga qelizat e trupit, atëherë duke u përdorur yndyrat si material energjetik krijohen ketonet. Glukoza në gjak dhe ketonet kalojnë përmes placentës tek foshnja.

Megjithatë, foshnjat janë në rrezik për defektet e lindjes nëse nivelet e glukozës janë tepër të larta tek nëna. Sheqeri i lartë i cili kalon nga nëna tek foshnja e palindur e vë foshnjën në rrezik për rritje të peshës, dëmtime njohëse (konjitive) , vonesa në zhvillim, malformacione kardiake, dhe tension të lartë.

Diabeti gestacional
Diabeti gestacion është i ndryshëm nga diabeti tip 1 dhe tip 2 sepse është specifik për gratë shtatzëna. Hormonet e shtatzënisë pengojnë veprimin e insulinës duke bërë të rritet glukoza në gjak. Diabeti gestacion diagnostikohet në periudhën 24-28 javë të shtatzënisë.

Në 10% të grave që kanë pasur diabet gestacional gjatë shtatzënisë, mund të lajmërohet diabeti tip 2 brenda periudhës 10 vjeçare nga lindja.

Faktorët e rrezikut për diabet tip 2:

• mosha është më e vjetër se 45 vjeç
• mbipeshë ose obezitet
• histori familjare të diabetit (prind apo vëlla)
• lindje e fëmijës me një peshë mbi 4.5 kg
• ka pasur diabet gestational
• jetë sedentare

Çfarë duhet bërë që gratë me diabet të kenë një qasje më të mirë në trajtim?

Bazuar në rekomandimet e IDF: 

• Sistemi shëndetësorë duhet t’i kushtojë kujdes adekuat nevojave dhe prioriteteve të veçanta të grave.
• Të gjitha gratë me diabet duhet të kenë qasje në barnat esenciale dhe edukimin e vet-menaxhimit dhe informimin për të cilin kanë nevojë të arrijnë rezultate optimale të diabetit.
• Të gjitha gratë me diabet duhet të kenë qasje në shërbimet e planifikimin të shtatzënisë me qëllim të reduktimit të rrezikut gjatë shtatzënisë.
• Të gjitha gratë dhe vajzat duhet të kenë qasje në aktivitetin fizik me qëllim të përmirësimit të rezultateve të tyre shëndetësore.
• Strategjitë e parandalimit të diabetit të tipit 2 duhet të përqendrohen në shëndetin e nënës dhe të ushqyerit dhe sjelljet e tjera shëndetësore para dhe gjatë shtatzënisë, si dhe të ushqyerit e foshnjave në fëmijërinë e hershme.
• Vizitat e kujdesit antenatal gjatë shtatzënisë duhet të optimizohen për promovimin e shëndetit në gratë e reja dhe zbulimin e hershëm të diabetit tip 2 dhe diabetit gestacional
• Depistimi për sëmundjen e sheqerit dhe diabetit gestacional duhet të integrohet në ndërhyrje dhe shërbime të tjera të shëndetit të nënës në nivelin e kujdesit shëndetësor primar për të siguruar zbulimin e hershëm, kujdes më të mirë për gratë dhe ulje të vdekshmërisë së nënës.
• Punonjësit shëndetësorë duhet të trajnohen në identifikimin, trajtimin, menaxhimin dhe përcjelljen e diabetit gjatë shtatzënisë.
• Gratë dhe vajzat janë agjentët kryesorë në adaptimin e mënyrave të jetesës së shëndetshme për të përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien e gjeneratave të ardhshme. /Telegrafi/