Telegrafi

Selim Pacolli zotohet për rregullimin e varrezave të dëshmorëve

Pas vizitës së tij tek varri i Presidentit Historik të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, kandidati i AKR-së për Kryetar të Prishtinës, Selim Pacolli ka vizituar varrezat e dëshmorëve.

Në rrugëtimin e tij të përbashkët me qytetarët e Prishtinës, Selim Pacolli ka parë nga afër varrezat e dëshmorëve në fshatrat Llukarë, Mramor, Prapashticë dhe Marec, të cilët janë në gjendje të rëndë dhe të pa rregulluara nga autoritetet komunale.

Nga vizitat e tij në varrezat e dëshmorëve, Selim Pacolli është ndalur për të nderuar Dëshmorët e Kombit Ismet Asllani dhe Shpend Canolli.

Selim Pacolli ka parë nga afër gjendjen e varrezave, të cilat janë tërësisht pa kujdes institucional, gjë të cilën ai është zotuar se do ta ndryshojë menjëherë pas ardhjes së tij në pozitën e të parit të Prishtinës.

“Fillimisht, si një qytetar i Prishtinës, unë ndjehem keq për gjendjen e këtyre varrezave dhe mungesa e kujdesit që u bëhet atyre, përkundër faktit se në këto vende pushon shpirti i disa prej njerëzve më të dalluar të këtij vendi. Unë zotohem këtu para jush, se me marrjen e pushtetit në Prishtinë, unë do ta ndryshojë këtë pamje. Sepse shtyllat e kombit ndërtohen nga njerëz që flijohen për të, prandaj ne e kemi për detyrë që veprën dhe jetën e tyre ta nderojmë me përgjegjësinë më të lartë, ndërsa rregullimi i këtyre varrezave është gjëja më e vogël që ne mund të bëjmë si qytetarë të Prishtinës”, ka thënë Pacolli.

Pacolli është zotuar se me ardhjen e tij në pozitën e kryetarit të Prishtinës, ai do të rindërtojë shtëpitë ku ishin të vendosura shtabet e UÇK-së në Gollak dhe ato do të shndërrohen në muze, për ta lartësuar historinë e heronjve të kryeqytetit, dhe për ta pasuruar kujtesën qytetare për jetën dhe veprën e tyre.