Telegrafi

Sela: Shqiptarët me vite besuan, por gjithmonë ishin të dëshpëruar nga partitë politike shqiptare

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela në takim me banorët e fshatit Çerkez të Kumanovës tha se shteti deri tani ka qenë i njëanshëm prandaj është tash është koha që të krijohet shtet për të gjithë, ku të gjithë ndjehen të barabartë. Sela thotë se dita e votimit është dita kur qytetarët kanë fuqi ta bëjnë ndryshimin.

“Ne ballafaqohemi me situatën që na vjen një herë në katër vjet dhe për këtë arsye duhet të flitet për këtë. Ka shumë funksionarët partiak që vinë dhe përpiqen ta rrezikojnë vullnetin politik të qytetarëve, vullnetin që ata duan ta shprehin. Dita e votimit është simbolika juaj, ato ‘pesë minuta’ kur shkon drejt kutisë së votimit. Në ora shtatë në mëngjes, kryetarët e partive politike, nuk vlejnë as zero për shkak se fuqia politike matet në ora nëntë në mbrëmje dhe ne do të jemi të fuqishëm aq sa ju do të na jepni fuqinë politike”, tha Sela, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ai tha se shqiptarët me vite kanë besuar, por gjithmonë janë dëshpëruar nga partitë politike shqiptare.

“Ku jemi sot? Para disa muajsh para se të fillojë kriza e pandemisë, e vizituam çdo vend, çdo lagje, çdo fshat. Ne kemi qenë edhe këtu në Kumanovë. E pash trajtimin që e bën LSDM shqiptarëve. E keni parë në media. Ata thonë shoqëri për të gjithë, por nuk ka shkolla për shqiptarët në Idrizovë, shoqëri për të gjithë, por nuk ka shkolla për shqiptarët në Çashkë. Ka mijëra fëmijë shqiptarë që mësojnë në gjuhën maqedonase, dhe jo në gjuhën shqipe”, tha mes tjerash Sela./Telegrafi/