Nënkryetari i Vetëvendosjes, Dardan Sejdiu në një intervistë për Telegrafi.com ka folur për programin e Vetëvendosjes dhe vijat e kuqe të kësaj partie për koalicion me partitë tjera.
Sejdiu tha se gjatë kësaj periudhe Vetëvendosje ka shpërfaqë programin e saj se si do të duket Republika nën qeverisjen e VV-së.
Ai tha se të dielën, më 11 qershor do të ndodh ndryshimi i madh në Republikën e Kosovës.
Sipas tij, tashmë qytetarët e Kosovës e kanë të qartë se këta që kanë qeverisur deri tani nuk dinë dhe nuk duan ta rregullojnë jetën e qytetarëve, por janë treguar të aftë ta rregullojnë vetëm jetën e tyre.
Ai tha se partitë politike, PDK dhe LDK kanë krijuar përshtypje të rreme se janë kundër njëra-tjetrës, e në fakt sipas tij janë hisedar dhe ortakë në qeverisje dhe biznese.
“Është e rëndësishme që më 11 qershor zgjedhjet të shihen si referendum”, u shpreh Sejdiu.
Nënkryetari i VV-së ka folur edhe për deklaratën e sekretarit të partisë Dardan Molliqaj, rreth vijave të kuqe për koalicion me partitë, saktësisht deklaratës se VV asnjëherë s’ka thënë kurrë me PDK-në.
Sejdiu tha se kjo deklaratë është keqinterpretuar. Sipas tij, ata që kanë qeverisur deri më tani duhet të shkojnë në shtëpi.
“Vetëvendosje e ka të qartë, PDK-ja shkon në opozitë”, tha Sejdiu.
Por sipas tij, pas katër ose tetë vjetëve, atëherë kur PDK pastrohet nga njerëzit që e kanë sjell vendin në këtë gjendje dhe ka një profilizim ideologjik atëherë nuk mund të paragjykohet për mundësinë e koalicioneve.
“…Por kësaj radhe PDK shkon në opozitë”, tha tutje Sejdiu. /Telegrafi/