Site icon Telegrafi

Sejdiu: Kriza ka prekur edhe Kosovën por e ardhmja ekonomike është në rrugë të drejtë

Stamboll, 7 maj 2008

Të nderuar Presidentë të vendeve mike të Republikës së Kosovës:

Më lejoni që të shpreh konsideratat e mia më të larta për të gjithë ju dhe për vendet që përfaqësoni. Kam kënaqësinë t’ju drejtohem me informacione nga dora e parë për zhvillimet e përgjithshme në vendin tim, Republikën e Kosovës.

Siç e dini, më 17 shkurt 2008, përfaqësuesit e zgjedhur të popullit të Kosovës shpallën Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik, duke marrë përsipër kështu detyrimet që i takojnë si subjekt i të drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Vullneti i popullit të Kosovës për shtet të pavarur deri sot është njohur nga 58 shtete anekënd globit, që përfaqësojnë mbi 2/3 e GDP-së botërore.
Edhe me këtë rast, dua të falënderoj të gjitha shtetet që i kanë qëndruar Kosovës pranë si në fazën e menjëherë pas luftës, ashtu edhe në procesin e pavarësimit dhe zhvillimit të gjithëmbarshëm të saj. Shpallja e pavarësisë ka hapur perspektivën tonë për zhvillim dhe e ka shndërruar Kosovën në faktor të stabilitetit të përgjithshëm rajonal.

Kosova ka bërë hapa të kujdesshëm, por vitalë për ngritjen e institucioneve demokratike dhe dëshmimin e plotë se shteti ynë ka hyrë në partneritet të plotë dhe aktiv për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin rajonal. Në veçanti, duam të theksojmë raportet e shkëlqyeshme që Kosova ka me vendet fqinje, të cilat, që të gjitha, me përjashtim të Serbisë, e kanë njohur pavarësisë e saj. Ndërsa, sa i përket raporteve me Serbinë, përkundër qasjes joracionale që ajo e ka deri tash karshi Kosovës, ne besojmë në marrëdhëniet e mira që duhet të ndërtohen për një të ardhme më të mirë për qytetarët e vendeve tona. Personalisht jam shumë i interesuar për thellimin e bashkëpunimit rajonal, ndaj kam dhënë idenë për liberalizimin e mëtejmë të kufijve dhe formimin e një lloj zone mini-Schengen për të gjitha vendet e rajonit, si një dëshmi jona e përbashkët për lëvizje drejt proceseve integruese.

Miratimi i Kushtetutës dhe ligjeve të tjera bazike në përputhje të plotë me Planin e Ahtisaarit, tregon përkushtimin e institucioneve dhe popullit të Kosovës për zbatimin e plotë të këtij plani, që doli mbas një procesi të gjatë dhe të vështirë negociator ndërkombëtar. Edhe me këtë rast, theksojmë se Kosova ka treguar dhe do të vazhdojë të tregojë kujdes të veçantë ndaj komuniteteve pakicë (edhe pse të gjitha së bashku përbëjnë më pak se 10% të popullsisë), duke i trajtuar të gjithë ata pa dallim dhe duke tejkaluar edhe standardet më të larta ndërkombëtare. Kosova është vend i të gjithë qytetarëve të barabartë, ku nuk tolerohet dominimi i askujt mbi askënd. Kjo na ndihmon të jemi të gjithë pjesë e ndërtimit të Kosovës si shtet demokratik i të gjithë qytetarëve të vet. Prezenca e EULEX-it, si mision këshillues për sundimin e ligjit, ku marrin pjesë të gjitha vendet e BE-së, si dhe prezenca e KFOR-it si mekanizëm i sigurisë, na ndihmon në rrugën tonë drejt ndërtimit të vlerave më moderne demokratike dhe forcimit të shtetit ligjor.

Si shtet i porsaformuar, por me një vizion të qartë për integrim të plotë në strukturat euro-atlantike, Republika e Kosovës është e gatshme të ballafaqohet me të gjitha sfidat që i takojnë asaj si shtet sovran.

Që nga shpallja e pavarësisë, të gjithë indikatorët tregojnë se Kosova është në rrugë të drejtë për t’u bërë vend me një ekonomi të shëndoshë, të qëndrueshme dhe konkurruese. Njohja e shtetit të Kosovës nga 22 prej 27 shteteve anëtare të BE-së dhe pjesa dërrmuese e shteteve anëtare të NATO-s është një sinjal i fuqishëm se të gjitha këto vende, si dhe vende të tjera mike, janë të gatshme të thellojnë bashkëpunimin politik dhe ekonomik me shtetin tonë. Besimi që është shprehur në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve, në të cilën Kosovës iu dhanë 1.4 miliardë euro, duhet të kthehet në investime dhe rezultate përkatëse, në mënyrë që ky besim të rritet dhe përkrahja të shtohet edhe më shumë.

Përveç sfidave të tjera, Kosova po ndërmerr hapa të kujdesshëm për t’u ballafaquar me pasoja të mundshme që rezultojnë nga kriza financiare globale. Për momentin nuk mund të vlerësohen me saktësi efektet e krizës ekonomike botërore në ekonominë kosovare, por shqyrtimi i këtyre efekteve kërkon vëmendje dhe masa të vazhdueshme. Megjithatë, duke pasur parasysh specifikat e ekonomisë kosovare, mund të flitet për disa tregues të kësaj krize.

Hulumtimet e deritanishme të cilat janë bërë në Kosovë, flasin për goditjet të cilat i ka pësuar ekonomia kosovare nga kriza botërore ekonomike. Rreth 2/3 e opinionit flasin se kanë filluar t’i ndiejnë efektet e krizës. Pjesa më e madhe përmes ngritjes së çmimeve, të tjerët vërejnë se u është rrezikuar vendi i punës, kurse shumë nga ata konsiderojnë se efektet e krizës do të thellohen për shkak të zvogëlimit të remitancave për Kosovën nga kosovarët që punojnë jashtë.

Vërejmë se opinioni është i brengosur për pasojat, të cilat kriza ekonomike botërore mund të prodhojë për vendin tim. Para së gjithash, disa tregues të tjerë flasin se kjo krizë vitin që shkoi la pasoja mjaft të mëdha në disa fusha. Fondit Pensional të Kosovës iu shkaktuan humbje prej mbi 70 milionë euro, ose rreth 30 % të fondeve totale, që është një arsye për alarm. Të dhënat e eksportit në fillim të vitit 2009 flasin se edhe ky sektor ka efekte negative dhe se ekziston rreziku që aktivitetet eksportuese do të humbin dinamikën të cilën filluan ta krijojnë me performansa të vitit 2007 dhe 2008. Në dy muajt e parë të këtij viti eksporti shënoi rënie për 40% në krahasim me dy muajt e parë të vitit 2008, për shkak të rënies së kërkesës për produkte minerale, të cilat eksportoheshin nga Kosova. Megjithatë, efekte më të larta të krizës mund të priten në nivelin e remitancave. Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta, ekziston bindja e plotë se remitancat nga diaspora do të shënojnë rënie domethënëse në krahasim me vitet e mëparshme. Diaspora kosovare janë kryesisht punëtorë të thjeshtë dhe shumë të ndjeshëm nga zhvillimet ekonomike. Këtë e konsiderojmë si një problem të veçantë për ekonominë e Kosovës, duke pasur parasysh se remitancat kanë luajt dhe luajnë një rol shumë të madh. Remitancat përbëjnë një përqindje të lartë të buxhetit familjar, ato, po ashtu, kanë efekte në bilancet rrjedhëse të Kosovës, kur dihet se diaspora luajti një rol shumë aktiv në investime në periudhën e pasluftës.

Janë edhe një numër i konsiderueshëm i efekteve më pak të vërejtshme nga kriza ekonomike botërore. Investitorët e jashtëm, në njërën anë, janë mjaft konservativ për momentin, duke u sjellë me logjikën e qasjes “prit dhe shih”. Investimet e jashtme të drejtpërdrejta i kemi identifikuar si një mjet të potencial të rëndësishëm për përshpejtimin e progresit të ekonomisë kosovare. Nga kjo perspektivë disa nga projektet e parapara, të cilat involvojnë kapitalin e jashtëm, siç është privatizimi i një pjese të KEK-ut dhe të një pjese të Telekomit Kosovar dhe ngritja e kapaciteteve të reja të energjisë elektrike do të jenë nën ndikimin e efekteve të krizës. Pozita e tanishme e investitorëve të jashtëm do të reflektohet edhe në rënien e interesit për privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore. Në anën tjetër edhe sektori bankar në mënyrë të pashmangshme do të reflektojë përmes procedurave dhe kushteve më të ashpra të kreditimit. Gjithashtu, mund të pritet se donatorët nga shtetet e zhvilluara mund të hezitojnë për momentin të distribuojnë asistencën e premtuar për Kosovën, për shkak të rritjes së nevojave të tyre të brendshme. Përkundër të gjitha këtyre, ne jemi duke ndërmarrë hapa të kujdesshëm për tejkalimin e kësaj situate dhe mbrojtjen ndaj pasojave të mëtejshme të kësaj krize.

Të nderuar miq:
Shfrytëzoj këtë rast që në emër të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës të shtrijë dorën e bashkëpunimit me vendet tuaja të respektuara. Ju thërras që ta mbështesni Kosovën në vizionin dhe synimet e saj për ta marrë vendin e vet të merituar në radhët e kombeve të lira, demokratike e të zhvilluara që kanë përqafuar vlerat më moderne. Duke qenë mirënjohës për mbështetjen tuaj të deritanishme, populli i Kosovës mirëpret angazhimin, investimin dhe përkushtimin e mëtutjeshëm të shteteve tuaja.

Ju faleminderit!

/Fjalimi i Presidentit të Republikës së Kosovës në Forumin Ekonomik Euro-Aziatik në seancën për presidentët dhe ish-presidentët e shteteve/

Exit mobile version