Poezi nga: Olof Lagercrantz
Përktheu: Qerim Raqi
Ti nuk ecën shpejtë sikur ne
drejt një caku të largët si iluzion
që shpejtë kalon
Ti ecën si e mbyllur në veten tënde
bebëza e syrit tënd i qesh rrezes
sikur ti të jesh krejt kuptimi
i ecjes dhe ekzistencës
Lulekëmboret t’i prekin pulpat e këmbëve
dhe një fëlterez e verdhë t’i ngulë sytë
asnjë larvë dhe asnjë bretkosë
s’ka frikë që këpuca e jote e mbytë
Një dallëndyshe të fluturon mbi krye
dhe t’i prekë flokët e tua
edhe kërmijtë e rrugëve ngadalë afrohen
për t’i puthur gjurmët tua
Ti ecën me dashuri në shikimin tënd
në të shumëllojshmen botë shtazore
edhe tek gjarpri i zi i një shkurreje
ti sheh një veti të mirë, hyjnore
Po, errësira largohet kur ti ecën
dhe vdekja më s’ ekziston
është vetëm një roje mike e çdo gjëje
që këtu në tokë mbretëron