Federata e futbollit të Kosovës po mendon që ta krijojë Ligën e Veteranëve.
Kështu së paku ka lajmëruar faqja zyrtare e shtëpisë më të madhe të futbollit në vendin tonë.
Ka qenë presidenti i FFK-së, Agim Ademi që ka pritur në zyrën e tij iniciatorët për krijimin e Ligës së Veteranëve, si Avni Shala, Betim Qerkini, Enes Shosholli e Agim Maliqi.
“Presidenti Agim Ademi, në shoqëri të anëtarit të KE-së, Luan Vokshi, ka pritur, sot, iniciatorët e krijimit të Ligës së Veteranëve; Betim Qerkini, Avni Shala, Enes Shosholli dhe Agim Maliqi”.
“Me këtë rast, ata, e njoftuan presidentin Ademi për nismën e tyre dhe hasën në përkrahje të fuqishme të FFK-së”.
“Në këtë takim u arrit pajtueshmëria që sa më shpejtë të krijohet Liga e Veteranëve, e cila pa dyshim do të jetë pjesë e rëndësishme e FFK-së”.
“Presidenti Ademi theksoi se ideja për krijimin e kësaj lige është shumë e qëlluar dhe është mirë që kjo ligë do të formohet pikërisht nga futbollistët e periudhës së sakrificës dhe e cila si ligë do të jetë shumë atraktive, ngase do t’i mbledhë ish-futbollistët e gjeneratave të ndryshme”, thuhet në njoftimin e FFK-së. /Telegrafi/