Site icon Telegrafi

Së shpejti në Ferizaj hapet strehimorja për 40 qenë endacak

Drejtoria e Bujqësisë në Komunën e Ferizajt po vazhdon me hapa konkretë për të përkrahur fermerët dhe zhvillimin e sektorit bujqësor. Gjatë këtij viti një tjetër zhvillim i rëndësishëm është planifikuar për funksionalizimin e tregut të kafshëve dhe hapja e strehimores për qentë endacakë me kapacitet për 40 qenë.

Drejtori i Bujqësisë në këtë komunë, Burim Bajrami, ka thënë për Telegrafin se një sërë investimesh dhe projekteve të rëndësishme që do të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e prodhimtarisë dhe përmirësimin e kushteve për bujqit dhe blegtorët ferizajas.

“Një tjetër zhvillim i rëndësishëm për këtë vit është funksionalizimi i tregut të kafshëve dhe hapja e strehimores për qentë endacakë me kapacitet për 40 qenë. Gjithashtu, një projekt i veçantë do të jetë subvencionimi i prodhuesve të qumështit me 0.10 cent për çdo litër qumështi të prodhuar, duke stimuluar kështu sektorin e blegtorisë dhe rritjen e cilësisë së prodhimit”, ka thënë Bajrami.

Sipas tij, fermerët do të furnizohen me serra familjare prej 50 metra katrorë dhe sisteme moderne të ujitjes pikë-pikë.

“Këto ditë ka përfunduar thirrja publike për furnizimin me gypa për ujitje dhe sistemet përcjellëse. Përveç kësaj, këtë vit do të ketë mbështetje për bletarët me pajisje të reja, pemëtarët me mjete të nevojshme dhe investime të mëdha në mekanizimin bujqësor, si një nga prioritetet kryesore të Drejtorisë së Bujqësisë për vitin 2025. Këto iniciativa dëshmojnë përkushtimin e institucioneve lokale për ta bërë Ferizajn një model të zhvillimit bujqësor dhe blegtoral, duke krijuar kushte më të mira pune për fermerët dhe duke nxitur rritjen ekonomike të kësaj fushe jetike”, ka thënë Bajrami./Telegrafi/

Exit mobile version