Telegrafi

Së paku 26 të vrarë në dy shpërthime, një ditë para zgjedhjeve në Pakistan

Të paktën 26 persona janë vrarë dhe dhjetëra tjerë janë plagosur në dy sulme me bomba në jugperëndim të Pakistanit, në prag të zgjedhjeve komunale, kanë njoftuar zyrtarë pakistanezë.

Shpërthimi i parë, i fundit në një seri dhunë të lidhura me zgjedhjet, ndodhi në distriktin Pishin në provincën jugperëndimore të Balochistanit, vetëm një ditë para zgjedhjeve, u tha gazetarëve zëvendëskomisioneri i qarkut Juma Dad, transmeton Telegrafi.

Shpërthimet sipas tij kanë ndodhur kur një numër i madh i mbështetësve të kandidatit të pavarur u mblodhën para zyrës së tij.

Ai shtoi se bomba ishte vendosur në një motoçikletë të parkuar në afërsi të zyrës. E deri më tani asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmet.

Dr. Habib, administratori i spitalit lokal, tha për Geo News se numri i të vdekurve është rritur në 15 dhe se më shumë se 20 të plagosur janë dërguar në spital, shumë prej tyre në gjendje kritike.

Disa orë më vonë, një tjetër sulm me bombë ndodhi pranë rrethit të Quila Saifulah, duke vrarë të paktën dhjetë persona dhe duke plagosur disa të tjerë.

Ministri i Informacionit i Balochistanit, Jan Ahakzai u tha gazetarëve se shpërthimi ishte përpjekja e fundit e “terroristëve për të sabotuar zgjedhjet”.

“Por unë dua të bëj të qartë se zgjedhjet do të vazhdojnë siç është planifikuar”, tha Ahakzai. /Telegrafi/