Ministri i Pushtetit dhe Administrimit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se po sanohen dëmet në shtëpinë, e cila u sulmua me koktej molotovi në lagjen Kodra e Minatorëve në veri të Mitrovicës.
Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “dëmet nga sulmi në Bergjani po sanohen”.
“Askush nuk mund të ndal kthimin e qytetarëve në pronat e tyre”, ka shkruar ai, transmeton Telegrafi.
Tutje ai ka thënë se “Qeveria e Republikës së Kosovës, mbetet e përkushtuar që të ofroj siguri të plotë dhe banim të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e saj”.
Një koktej molotovi dyshohet se është hedhur rreth mesnatës në oborrin e një shtëpie te lagja “Kroi Vitakut”, në veri të Mitrovicës.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëvendës drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani.
Sipas tij, patrulla policore ka vërejtur një tym tek një shtëpi dhe siç tha Elshani kur janë afruar kanë vërejtur derën e hyrjes e cila ishte duke djegur. /Telegrafi/