SHBA vendos sanksione ndaj individëve dhe kompanive të përfshira në korrupsion në Bosnje dhe Hercegovinë.
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja ndaj një individi dhe një kompanie në Bosnje dhe Hercegovinë, duke i akuzuar për mbështetjen e një rrjeti korrupsioni që po përpiqet të shmangë sanksionet amerikane. Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) e Departamentit të Thesarit të SHBA-së bëri të ditur se ky rrjet është drejtpërdrejt i lidhur me Igor Dodikun, djalin e Millorad Dodikut, presidentit të entitetit serb të Bosnjës, Republika Serbe (RS), i cili është sanksionuar më parë nga SHBA.
Sanksionet e shpallura u bënë publike në ditën kur Millorad Dodik uroi për fitoren e tij presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump. Në njoftimin e OFAC thuhej se SHBA mbetet e përkushtuar për të ndriçuar përpjekjet e Dodikut dhe familjes së tij për të ruajtur rrjetet e tyre të korrupsionit, shkruan klix.ba.
Sanksionet e fundit përfshijnë Vladimir Perishiqin dhe kompaninë “Elpring doo Laktaši”. Sipas OFAC, Dodiku ka shfrytëzuar pozitat e tij zyrtare për përfitime personale përmes kompanive të lidhura me të dhe djalin e tij, Igor. Ky korrupsion ka ndikuar negativisht në besimin e publikut ndaj institucioneve shtetërore dhe në sundimin e ligjit në Bosnje.
Sipas OFAC, presidenti i Republika Serbe, Millorad Dodik, bashkëpunëtorët dhe ndihmësit e tij po përdorin pozitat e tyre për të minuar besimin e publikut në strukturat rajonale të paqes dhe institucionet e stabilitetit në Bosnje e Hercegovinë. Ushtruesi i detyrës së nënsekretarit të Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare, Bradley T. Smith, theksoi rëndësinë e këtyre masave për të mbrojtur stabilitetin dhe sigurinë në rajon.
Pas sanksionimit të kompanisë “Kaldera” më 18 qershor 2024, Igor Dodik urdhëroi Millenko Çiçiqin, i cili është gjithashtu në listën e sanksioneve, të krijonte kompaninë “Elpring doo Laktaši” për të zëvendësuar “Kaldera”. Me miratimin e Dodikut, Çiçiq themeloi “Elpring” dhe transferoi të gjitha asetet dhe operacionet e kompanisë së mëparshme, duke përfshirë edhe punonjësit.
Në total, pesë kompani të lidhura me familjen Dodik janë përfshirë në listën e zezë të SHBA-së që nga qershori. Millorad Dodik u sanksionua nga SHBA për herë të parë më 5 janar 2022 për pjesëmarrje në aktivitete që pengojnë ose kërcënojnë Marrëveshjen e Dejtonit dhe për përfshirje në korrupsion.