Site icon Telegrafi

San Marino shënon tre gola në një ndeshje për herë të parë ndonjëherë, siguron promovimin historik në Ligën e Kombeve

Përfaqësuesja e San Marinos, skuadra me renditjen më të ulët në botë, ka mundur Lihtenshtajnin për të siguruar promovimin në Ligën C të Ligës së Kombeve dhe një shans për të qenë në ‘play-off’ të Kupës së Botës.

Përpara fillimit të ndeshjes në ‘Rheinpark Stadion’, skuadrës së Roberto Cevollit i duhej një fitore ndaj kundërshtarëve të tyre për të përfunduar mbi Gjibraltarin në grupin e tyre të Ligës së Kombeve.

Duke pasur parasysh atë që ndodhi më 5 shtator, kur San Marino përfundoi ecurinë më të gjatë pa fitore në historinë e futbollit ndërkombëtar [140 ndeshje] me një fitore 1-0 ndaj Lihtenshtajnit, kishte një shans realist për t’u promovuar.

Lexo po ashtu San Marino merr fitoren e parë pas më shumë se 20 vitesh

Dhe vetëm disa muaj pasi 19-vjeçari Nicko Sensoli shënoi golin e vetëm të asaj ndeshje, ata prodhuan një tjetër fitore historike të hënën mbrëma për të siguruar një vend në Ligën C – një arritje që askush nuk e mendonte të mundur.

Golat nga Lorenzo Lazzari, Nicola Nanni dhe Alessandro Golinucci vulosën të tre pikët teksa u ngjitën mbi Gjibraltarin dhe në vendin e parë.

Jo vetëm që kanë arritur promovimin, San Marino tani ka një shans për të qenë në play-off të Kupës së Botës në mars 2026, megjithëse kjo varet nga rezultatet në grupet kualifikuese gjatë 12 muajve të ardhshëm. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version