Komuna e Gjilanit njofton se vendimi për shpronësimin e tokave të qarkores tashmë është miratuar nga Qeveria e Kosovës.
Bekim Salihu, drejtori për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë në Komunën e Gjilanit, shton se më datën 21.03.2025, në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, me numër 15/2023, është miratuar vendimi për shqyrtimin e mëtejshëm të shpronësimit të parcelave që preken nga projekti “Qarkorja e Vjetër”.
“Ky projekt, që tash e 25 vjet ka shkaktuar shumë dëme materiale për qytetarët dhe Komunën e Gjilanit, më në fund po merr zgjidhje”, tha Salihu.
Më tej drejtori për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë, thekson se kjo është dashuria për Gjilanin, me projekte ku e mira e përgjithshme është primare.
“Përveç që kemi paguar obligime mbi 10 milionë euro për projekte pa projekt, tashmë po zgjidhet edhe një problem që për 25 vite askush nuk është marrë me të, për të cilin do të krijohen kushte për implementimin e projektit të “Qarkores së Vjetër”, me trotuar për këmbësorët, ndriçim dhe shteg për biçikleta”, tha Bekim Salihu.
Ai më tej shton se idealin e kanë bërë ide, idenë e kanë bërë program, dëshirën e kanë bërë vullnet, dhe vullnetin e kanë bërë punë. /Telegrafi/