Kryetari i Kuvendit të Komunës së Preshevës, Sami Salihu ka deklaruar se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po bënë diferencime në organizimin politik. I njëjti ka deklaruar se mbetet i hapur për komunikim, strategji e këshilla me Qeverinë e Kosovës
I ftuar në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Salihu ka thënë se jo më ndryshe po vepron edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili sipas tij, po diferencon në organizimin politik.
“U bë një kohë e gjatë që Kurti të them të drejtën pak diferencon në organizimin politik, në kuptimin e pëlqimeve individuale. Mbaj mend që ka më shumë se një vit që spektri politik anashkalohet në kuptimin e takimit të përbashkët por kryesisht ka pas takime me parti të caktuara e ku në veçanti është diskutuar për çështjen e deputetit në këshillin nacional”.
“Pra, në dijeninë time asnjëherë nuk është diskutuar për çështjen e një strategjie ose një vizioni të Qeverisë së Kosovës kundrejt shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, ka deklaruar ai gjersa ka theksuar se “Këto 20 vite asnjë qeveri nuk ka strategji të qartë se cili do të jetë pozicioni i Qeverisë së Kosovës kundrejt bashkëkombësve të vet të cilët në prizmin më të zgjeruar janë reflektim i shtetit amë”.
Krahas kësaj, Salihu ka deklaruar se Qeveria e Kosovës duhet të krijoj një komunikim me gjithë spektrin politik.
Ai ka thënë se si Komunë e Preshevës dhe vet Salihu, është i hapur për komunikim, strategji e këshilla me Qeverinë e Kosovës.
Më herët të enjten, përfaqësuesit politikë dhe institucionalë shqiptarë të Komunave të Luginës së Preshevës, përmes një deklarate të përbashkët, kanë kërkuar të drejta të barabarta siç parashihen për serbët në planin evropian.
Ata kërkojnë realizimin e plotë të të drejtave kolektive të shqiptarëve, sipas standardeve më të larta të parapara me dokumentet përkatëse të OKB-së, Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, si dhe praktikave përkatëse, dhe adresimin e tyre në kuadër të Dialogut Kosovë-Serbi dhe propozimit evropian.
Ndër të tjera, kërkohet edhe përfshirja e çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e Brukselit, me qëllim të barazimit të pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës me pozitën e serbëve në Kosovë.