Anësori i Romës, Mohamed Salah, është në dyshim për derbin e kryeqytetit, pas një lëndimi që ka pësuar në stërvitjet e të mërkurës.
Të dielën, Giallorossët do të luajnë kundër Lazios në Derby della Capitale, të parin për këtë sezon, teksa dy skuadrat i ndan vetëm një pikë në tabelën e Serie A.
Sipas Sky dhe SportMediaset, egjiptiani është detyruar të largohet nga stërvitjet pas lëndimit të nyjës së këmbës duke e vënë në dyshim pjesëmarrjen në derbi.
Mungesa e tij do të ishte një goditje për ekipin e Luciano Spallettit, pasi ai është në formë shumë të mirë këtë sezon, kur ka shënuar tetë gola dhe ka dhuruar katër asistime në 14 paraqitje në Serie A.
Roma është në vend të dytë në tabelë me katër pikë më pak se Juventusi. /Telegrafi/