Lugano është e pandalshme dhe aktualisht shihet si skuadra më në formë në Zvicër.
Meritë e Paolo Tramexanit që ka ndërtuar një formacion solid, por sidomos e formës së shkëlqyer që po kalon reparti i sulmit ku lë shenjë Armando Sadiku, i cili edhe kur nuk shënon është vendimtar me pasimet e tij.
Sot (e diel), ai ishte autori i asistit të golit të vetëm të Luganos, në suksesin 1-0 ndaj Grasshopers në fushën e këtij të fundit.
Sadiku u tregua i aftë të shquante Marianin i cili po vinte me shpejtësi në zonën e rreptësisë dhe pasoi për mesfushorin i cili gjuajti me forcë duke mos i lënë kohë të reagonte portierit kundërshtar, transmeton PanoramaSport.
Ky gol kishte vlerën e tri pikëve, që bashkuan Luganon me Lucernën në vendin e katërt në kampionat, vetëm dy pikë larg Sionit të vendit të tretë.
Kur Tramexani mori drejtimin e skuadrës dhe afroi Sadikun, objektivi kryesor i klubit ishte mbijetesa, por që tani e sheh veten 17 pikë larg zonës së ftohtë dhe shumë afër Europës që cilësohej utopi në javët e para të vitit 2017.