Është ora 22:00 dhe a e dini ku janë mesazhet tuaja seksi? Sipas një studimi të fundit të kryer nga Kinsey Institute në Universitetin Indiana, e të publikuar në revistën Sexual Health, përgjigja mund të jetë “kudo”.
Pas anketimit të 5,805 të rriturve beqarë të moshave 21 deri në 75, 23 për qind e tyre kishin raportuar se i shpërndajnë mesazhet seksi që i marrin me një mesatare prej tre miqve të ndryshëm, transmeton Telegrafi.
Arsyeja për këtë është e paqartë, por terapistët e seksit thonë se varet nga rasti në rast.
Studimi gjithashtu ka zbuluar se prej 21 për qind pjesëmarrësve të cilët kishin pohuar se kanë dërguar mesazhe seksuale, 73 për qind prej tyre kishin thënë se nuk ndjeheshin komfort me idenë se dikush i kishte shpërndarë fotografitë e tyre me të tjerët.
“Kjo e ngritë pyetjen se nëse dikush të dërgon diçka me supozimin se është private, por ju e ndani me të tjerët – gjë që ndodh me mesazhet seksuale ku 1 nga 4 amerikanë beqarë janë duke e bërë, atëherë a duhet të konsiderohet kjo si shkelje e të drejtave?” thotë Justin Garcia, asistent për studime të barazisë gjinore dhe shkencëtar hulumtues në Kinsey Institute.
Përderisa në sipërfaqe shpërndarja e mesazheve, fotove apo videove seksi me miqtë mund të duket më pak si shkelje e të drejtave sesa postimi i tyre në ueb sajte të filmave pornografikë, që të dyja këto e ngritin të njëjtën pyetje rreth asaj se a është e arsyeshme të cenohet privatësia në botën e internetit.
“Rreziku i vërtetë nuk është dërgimi i mesazheve dhe imazheve seksuale, por shpërndarja e padëshirueshme e atyre materialeve në palë tjera”, konkludon Garcia.
Pra, duhet të keni kujdes se çfarë dërgoni pasi që ndryshe nga personat, interneti është diçka që gjithmonë mbetet dhe çfarë futet aty më nuk fshihet asnjëherë! /Telegrafi/