Nga të dhënat e publikuara lidhur me vdekshmërinë nga COVID-19, del se Rusia ka 120 mijë të vdekur e jo mbi 28 mijë vdekje që janë të raportuara.
Siç raporton Meduza, përcjell Telegrafi, nga muaji prill deri në tetor 2020, numri i rasteve të raportuara është katër herë më i vogël që është realisht.
Sipas të dhënave të disponueshme nga Agjencia ruse e Statistikave, për periudhën prill-shtator 2020, vdekshmëria arriti në 106 mijë persona, kjo përfshin 55,600 vdekje nga infeksioni i me COVID-19. Sidoqoftë, Zyra për raportim të COVID-19, tregon se për këtë kohë janë vetëm 20,700 vdekje.
“Jo të gjitha vdekjet janë shkaktuar direkt nga Coronavirusi – shumë prej tyre janë të lidhura me mbingarkesën në sistemin e kujdesit shëndetësor. Shërbimet e urgjencës janë të zëna – dikush ka një sulm në zemër, dikush ka diçka tjetër. Operacionet e planifikuara po shtyhen”, thotë demografi Alexey Raksha.
Nga llogaritjet e Mediazona, deri më tani korriku ishte muaji më i keq i pandemisë, ku shkalla e përgjithshme e vdekshmërisë në Rusi u rrit me 21 për qind, krahasuar me vitin e kaluar.
Në muajin tetor, sipas të dhënave të disponueshme deri më tani, në 23 rajone shkalla e përgjithshme e vdekshmërisë u rrit me më shumë se 32 për qind. /Telegrafi/