Secili vend vendos nga kush do të sigurojë mbrojtjen e tij.
Kështu deklaron NATO në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës në lidhje me dhurimin e tankeve ruse në Serbi.
“Ne e vlerësojmë partneritetin tonë me Serbinë dhe respektojmë plotësisht neutralitetin e saj ushtarak. Ne gjithashtu respektojmë vendimin sovran të partnerëve tanë kur bëhet fjalë për aranzhimet e sigurisë që ata bëjnë”, thuhet në përgjigje, shkruan European Western Balkans.
Zyrtarët e NATO-s në të kaluarën kanë theksuar se Serbia, si një vend sovran, ka të drejtë të zgjedhë se me kënd do të bashkëpunojë në fushën e mbrojtjes.
Kështu, në muajin shtator të këtij viti, sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veri-Atlantike, Jens Stoltenberg theksoi se, NATO nuk shqetësohet që Serbia e pajisë ushtrinë e saj, kryesisht nga Rusia dhe Kina.
“Jo, nuk e kemi problem. Serbia është një vend sovran dhe ne respektojmë plotësisht rregullimet e sigurisë që ajo zgjedh”, ka thënë Stoltenberg.
Në fillim të muajit nëntor, ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq kishte konfirmuar se, tanke të modelit T-72MS do të arrijnë nga Rusia në Serbi.
“Tridhjetë tanke moderne T-72MS duhet të arrijnë si pjesë e marrëveshjes Vuçiq-Putin, të arritur në Soçi. Ato do t’i forcojnë ndjeshëm aftësitë tona ushtarake”, kishte thënë Stefanoviq për mediat në Beograd.
Donacioni është pjesë e një marrëveshjeje që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka arritur me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, në vitin 2016.
Marrëveshja më pas është miratuar nga presidenti rus, Vladimir Putin. /Telegrafi/