Moska i ka kërkuar Ankarasë ndihmë në tërheqjen e sigurt të trupave ruse nga Siria pas rënies së regjimit të diktatorit Bashar al-Assad, raportoi CNN Türk më 9 dhjetor, duke cituar burimet e veta.
Kontigjenti ushtarak rus thuhet se do të tërhiqet nga të gjitha pjesët e Sirisë, me përjashtim të bazës ajrore strategjike Hmeimim dhe bazës detare Tartus në bregdetin e Mesdheut.
Ushtarët rusë fillimisht do të transportohen në zonat e kontrolluara nga ushtria turke, dhe më pas do të kthehen në Rusi, transmeton Telegrafi.
Kjo pason një raport të mëparshëm nga agjencia ruse TASS, në të njëjtën ditë që Bashar al-Assad dhe familja e tij kishin mbërritur në Moskë dhe kishin marrë azil “për arsye humanitare”.
Përleshjet mes forcave besnike të diktatorit sirian Bashar al-Assad dhe grupeve të armatosura të opozitës, filluan më 27 nëntor në zonat rurale të provincës Alepo në Sirinë veriore.
Ofensiva u zhvillua me shpejtësi, me rebelët që pushtuan qytet pas qyteti. Në mëngjesin e 8 dhjetorit, forcat opozitare hynë në Damask pa luftë.
Bashar al-Assad ka qeverisur vendin për 24 vjet, duke pasuar babanë e tij Hafez al-Assad, i cili mori pushtetin në një grusht-shtet ushtarak në vitin 1970.
Një revolucion filloi në Siri në vitin 2011, i cili u përshkallëzua në një luftë civile që përfshin opozitën, islamistët radikalë dhe regjimin e Asadit, i cili mbështetej nga trupat ruse. /Telegrafi/