Telegrafi

Rumania synon të blejë aeroplanë luftarakë F-35 për të rritur kapacitetet e mbrojtjes ajrore

Rumania planifikon të blejë gjeneratën e fundit të aeroplanëve luftarakë të SHBA-së F-35 për të forcuar mbrojtjen e saj ajrore ndërsa lufta vazhdon në Ukrainë.

Kështu, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, vendi anëtar i NATO-s ka rritur shpenzimet e mbrojtjes në 2.5% të prodhimit të brendshëm bruto këtë vit në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës.

Ky vend, i cili ndan një kufi mbi 600 kilometrash me Ukrainën, është “nikoqir” i një sistemi të mbrojtjes raketore balistike amerikane.

“Të kesh aftësi operacionale të fuqishme, të besueshme, të ndërveprueshme, fleksibël dhe efikase të mbrojtjes ajrore… si pjesë e angazhimeve tona si një shtet i NATO-s dhe BE-së është kyç që Rumania të përmbushë objektivat e politikës së saj të mbrojtjes”, citohet të jetë thënë në një deklaratë.

“Procesi i modernizimit të forcave ajrore do të vazhdojë përmes blerjes së aeroplanëve të gjeneratës së fundit F-35”, është thënë më tej.

Megjithatë, nuk janë dhënë detaje mbi oraret e furnizimit apo numrat.

Vitin e kaluar, presidenti Klaus Iohannis tha se Rumania po shqyrtonte blerjen e aeroplanëve F-35, të cilët janë prodhuar nga prodhuesi amerikan i armëve Lockheed Martin Corp.

Ndërkohë në mars, ministria e mbrojtjes tha se Rumania do të blinte tanke Abrams të prodhuara nga General Dynamics, si pjesë e planeve më të gjera të blerjeve të mbrojtjes. /Telegrafi/