Site icon Telegrafi

Ruben Amorim thyen heshtjen pasi mori drejtimin e Man United – ka një premtim për tifozët

Ruben Amorim ka dhënë komentin e tij të parë që prej se u emërua në rolin e trajnerit tek Manchester United.

United përmes një njoftimi gjatë ditës së sotme (e premte), kanë bërë me dije se Amorim ka marrë drejtimin e klubit në një kontratë të vlefshme deri në qershor të vitit 2027, me mundësi vazhdimi për një vit tjetër.

39-vjeçari do të mbetet në krye të Sporting Lisbonës deri më datë 11 nëntor, teksa Unitedi do të paguajë kompensim shtesë për të hequr dorë nga periudha 30-ditore.

Sporting do të luajë këtë mbrëmje (e premte) ndaj Estrada-s në Ligën e Portugalisë dhe Amorim ka folur shkurtimisht për aventurën e tij të re.

Gazetari norvegjez Frederik Filtvedt, i cili është pjesë e mbështetësve skandinavë të Unitedit, ka thënë se ai ka kontaktuar personalisht portugezin përmes një emaili pasi u bë gjithçka zyrtare.

“Faleminderit për mbështetjen tuaj, nuk do t’iu zhgënjejë”, thuhet se ka qenë përgjigja e Amorim.

Ai ende nuk ka bërë ndonjë koment publik për rolin e tij të ri, por me siguri kjo do të ndryshojë pas mbrëmjes së sotme.

Për më shumë, Amorim thuhet se tashmë ka identifikuar pozitën të cilën do synojë ta përforcojë në afatin e transferimeve pasi të bëhet trajner i ‘Djajve të Kuq’.

GiveMeSport ka raportuar se 39-vjeçari dëshiron të nënshkruajë me mbrojtësin e majtë Rayan Ait-Nouri (Wolves) për të luajtur në sistemin e tij taktik, që me shumë mundësi do të jetë një formacion me tre mbrojtës./Telegrafi/

Exit mobile version