Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, ka zbuluar saktësisht se çfarë duhet të bëjë Alejandro Garnacho për të kërkuar falje ndaj bashkëlojtarëve të tij.
20-vjeçari u largua pas vetëm 44 minutash në fitoren e Unitedit me rezultat 3-2 ndaj Ipswich Town të mërkurën në Ligën Premier.
40-vjeçari vendosi ta largojë argjentinasin nga loja pas kartonit të kuq të Patrick Dorgu, me portugezin që vendosi ta përforcojë mbrojtjen duke inkuadruar në lojë Noussair Mazraoui.
Sulmuesi më pas u largua menjëherë në drejtim të zhveshtoreve duke mos iu bashkuar bashkëlojtarëve dhe stafit të Unitedit në bankën rezervë.
Pas ndeshjes, Amorim kishte thënë se do të bisedojë me Garnachon për këtë situatë.
“Është interesante sepse një ditë më herët ai erdhi në zyrën time. Unë bëra një hetim dhe ai shkoi në zhveshtore, ndryshoi rrobat sepse ishte i lagur, ai e përcolli ndeshjen nga banka, ai ishte aty dhe shkoi në shtëpi, kështu që nuk ka problem”.
“Ai është një djalë i ri që do të mësojë. Gjëja e rëndësishme ishte mëngjesi i së nesërmes pasi ai po bisedonte me mua”.
“Unë i thashë atij se tek Manchester United çdo gjë është e rëndësishme dhe perceptimi në një klub të madh është i rëndësishëm”.
“Kështu që, ai do të paguajë darkën për të gjithë skuadrën, kjo është e tëra”, ka thënë Amorim./Telegrafi/